“Burgu më ndryshoi jetën”, Rrëfimi i ish-kapitenit të Lazios, Stefano Mauri: Tatuazhi më dha forcë

Shkruar nga: I Cani | Publikuar më: 05.10.2025, 15:01

Në moshën 20-vjeçare, Stefano Mauri bëri një zgjedhje të thjeshtë që më vonë do të merrte një kuptim të thellë: një tatuazh me një karpë japoneze, simbol i këmbënguljes dhe forcës për të përballuar pengesat. Sot, ish-kapiteni i Lazios po nis një kapitull të ri si agjent futbolli, por kujtimet e së kaluarës mbeten të forta, veçanërisht ato shtatë ditë në burg që e përballën me padrejtësinë e një çështjeje të trukimit të ndeshjeve.

Për Stefano-n, periudha e burgut ishte provë e vërtetë e karakterit. “Burgu të forcon”, thotë ai, sepse pas asaj përvoje nuk ka më frikë nga asgjë. Ditët kalonin duke lexuar dosje të pafundme, duke përjetuar një boshllëk të pazakontë dhe duke mësuar të dallojë miqtë e vërtetë nga ata që nuk e meritonin besimin e tij. Në fund, pas gjithë asaj trazire, ai u dënua vetëm me gjashtë muaj pezullim për ‘moskallëzim rasti’.

"Ka qenë periudha më e keqe e jetës sime, diçka që nuk ia uroj askujt. Në agimin e 28 majit 2012 përfundova në burg, i pafajshëm, i akuzuar për mashtrim sportiv dhe pjesëmarrje në organizatë kriminale. Kaluan pesë a gjashtë ditë para se të më dëgjonte gjykatësi. Sepse pas asaj përvoje, nuk të tremb më asgjë. Je pranë njerëzve që nuk kanë lidhje me futbollin, ndihesh bosh, i zbrazur. Por del më i fortë.”- shprehet Mauri.

Si futbollist, Mauri nuk harroi asnjë moment të bukur. Roveshiata e tij kundër Napolit mbetet gol i paharrueshëm, ndërsa fitimi i Kupës së Italisë kundër Romës në 2013 i dha një ngushëllim pas periudhës së errët. Për Stefano-n, shiriti i kapitenit te Lazio ka përfaqësuar gjithmonë më shumë se një simbol ishte përgjegjësi, nder dhe lidhje e palëkundur me tifozët dhe klubin.

Në karrierën e tij, Mauri ka ndarë fushën me kampionë si Klose, Pirlo, dhe Baggio, ka përjetuar derbi historik me Romën dhe ka mësuar rëndësinë e përkushtimit, disiplinës dhe miqësive të sinqerta. Edhe pse pengu i pjesëmarrjes në Europian dhe Botëror mbetet, ai e di që çdo fitore, çdo sfidë dhe çdo mësim e kanë formuar si lojtar dhe njeri.

Në fund, historia e Stefano Maurit është ajo e një lojtari që përballoi padrejtësitë, u rrit me sfidat dhe gjithmonë gjeti forcën të vazhdojë, si karpja që vendosi mbi lëkurën e tij ka kaq shumë vite më parë.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit