“O vlla duhen 10 viktima mrena viti”, zbardhen përgjimet, ‘Rrumi’ dhe Avdylajt planifikonin eliminime për prona në bregdet

Shkruar nga: I Cani | Publikuar më: 05.10.2025, 12:35

Aleksandër Laho, i njohur me nofkën “Rrumi”, kishte ndërtuar një skemë të frikshme që përziente krimin me pasurinë. Sipas dosjes së siguruar nga gazetarja Klodiana Lala , Laho kishte premtuar prona në bregdetin e Durrësit si “shpërblim” për ndihmën që kërkonte nga Aldo Avdyli, në mënyrë që ky i fundit ta ndihmonte për të eliminuar kundërshtarët e tij: Plarent Dervishajn, Lulzim Berishën dhe Edmond Koçin, i njohur si Mond Çekiçi.

Në dokumentet e SPAK-ut theksohet:

“Fakti që Aleksandër Laho ka përvetësuar në mënyrë të paligjshme një numër të madh pronash, të cilat në disa raste ua ka premtuar ose ua ka dhënë si shpërblim njerëzve që i duheshin për t’i përdorur për të arritur qëllimin e tij, eliminimin e kundërshtarëve të vet, Plarent Dervishi dhe Edmond Koçi alias Mond Çekiçi, Lulzim Berisha, zbulohen edhe në bisedën e datës 14 shtator 2020, që ai ka zhvilluar me Elidon Avdylin alias Aldo Avdyli.”

Në këtë bisedë të përgjuar, “Rrumi” rendit edhe prioritetet e “goditjeve”:

“Kta e xhirojnë lojën e qytetit… të tjerët pastaj janë pasiva… të pa rëndësishëm,” – shkruan ai.

Aldo Avdyli i kthen përgjigje:

“Po je fiks fare e vlla… kjo është, s’ta fut njeri ty për terren… po ka mbaru, ata janë… Po Luli them un… Lulit… i bim direkt… ai e don… vetëm vendose ti.”

Në vijim, Rrumi e udhëzon që fillimisht të hiqet Edmond Çekiçi, pasi sipas tij ishte “truri në terren” i grupit kundërshtar. Në një tjetër pasazh të përgjimit, Aldo Avdyli shprehet:

“O vlla duhen 10 viktima mrena vitit… po na erdhi ky Rama këtu… e zbejm dot shumë domë… se do na fiki.”

Në këtë moment, Avdyli i kujton Rrumit se Kryeministri Edi Rama do të kandidonte për deputet në Durrës, çka sipas tyre “u prishte planet”. Aleksandër Laho përgjigjet:

“Ajo më ka djeg shumë dhe mua… Rama… po erdhi aty na paralizoi pak… e kam mendu direkt që atë ditë që e mora vesh.”

SPAK sqaron se në këmbim të ndihmës për këto eliminime, Rrumi i ofronte Avdylit prona të lakmueshme në bregdet, një pasuri që vetë Laho e kishte siguruar përmes tjetërsimeve dhe presioneve.

Hetimet e Prokurorisë së Posaçme zbuluan një grup të strukturuar kriminal, me në krye Aleksandër Lahen. Në këtë rrjet përfshiheshin edhe vëllai i tij, Vullnet Muça, shoferi Agron Bejdolli, si dhe Vlash Brahja.

Në dosje përmendet edhe vrasja e Edmir Bregut, e cila sipas SPAK-ut u urdhërua për motive hakmarrjeje nga Astrit Avdyli dhe Aldo Avdyli, ndërsa dyshohet se në ekzekutim ka qenë i përfshirë edhe Enea Kume, vëllai i deputetit socialist Loer Kume.

Një dosje që shpalos fytyrën e errët të lidhjeve mes pasurisë, krimit dhe politikës ku prona në bregdet u kthyen në monedhë për jetë njerëzish.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit