Më 1 tetor 2023, 3-vjeçari Brian Spahiu humbi jetën pas një ndërhyrjeje dentare në një klinikë private pa licencë në Tiranë. Stomatologia Ina Xhaxho dhe babai i saj, anestezisti Roland Xhaxho, garantuan familjen se gjithçka do të shkonte mirë, por vogëlushi doli nga klinika pa ndjenja dhe përfundoi në spitalin “Nënë Tereza”, ku ndërroi jetë.
Familjarët dorëzuan kallëzim penal, duke e konsideruar anestezinë si shkakun fatal. JOQ Albania ishte pranë familjes, ku gjyshi i Brianit dha një deklaratë tronditëse. “Na thanë se djali do përmirësohej, por ai po vdiste në duart tona”, tha Guri Spahiu me lot në sy. Ai e quajti një krim dhe paralajmëroi se nëse drejtësia nuk vepron, gjaku i nipit nuk do falet.
Autopsia e parë vërtetoi se shkak i vdekjes ishte doza e lartë e narkozës, por Prokuroria kërkoi një ekspertizë të dytë në Itali. Kjo zvarriti hetimet për më shumë se 2 vite, ndërkohë që babë e bijë vijuan të punonin të lirë. Në rrjetet sociale ata reklamonin shërbimet, duke harruar tragjedinë. Madje mjeku kërkonte infermiere nën 35 vjeç.
Në shtator 2025 mbërriti ekspertiza italiane që konfirmoi të njëjtin shkak vdekjeje, anestezia. Hetimet pritet të mbyllen, por asnjë masë nuk është marrë ende ndaj mjekëve. Sot, në dyvjetorin e vdekjes së Brianit, familja nuk kërkon as hakmarrje, as mëshirë por vetëm drejtësi. Sepse në një vend ku as jeta e një fëmije nuk mjafton për të ndëshkuar fajtorët, atëherë drejtësia nuk vlen për askënd.