Zbulohen detaje të reja nga operacioni i përbashkët i Policisë së Tiranës, Europol dhe autoriteteve kolumbiane që çoi në goditjen e një rrjeti ndërkombëtar prostitucioni me bazë edhe në Shqipëri. Në qendër të hetimit është 25-vjeçari kolumbian Lucas Betancur, i cili rekrutonte vajza nga Amerika Latine duke i sjellë në Ballkan nën pretekstin e punësimit, por më pas ato detyroheshin të ushtronin prostitucion në kushte shfrytëzimi ekstrem. Gjatë kontrollit në banesën e tij dhe të babait, Mario Betancur, në Kolumbi, u gjetën kode të Bitcoin, fatura transferimesh dhe të dhëna që tregojnë qarkullim prej mbi 1 milion eurosh nga Shqipëria dhe vendet e rajonit.
Lucas Betancur dhe babai i tij
Bisedat e përgjuara zbulojnë se vajzat kërcënoheshin me jetën e familjarëve të tyre në Kolumbi në rast se refuzonin të punonin si prostituta. Ndërkohë, në Shqipëri ishin identifikuar të paktën 7 bashkëpunëtorë të rrjetit. Mirel Shperdheja, pronar i një agjencie pronash, kishte vënë në dispozicion 15 apartamente të lëshuara me Airbnb për strehimin e vajzave. Ndërsa Dritan Sukaj, 37 vjeç, kishte komunikim të drejtpërdrejtë me Betancur dhe siguronte ambiente për këtë veprimtari.Hetimet zbuluan gjithashtu se hoteli “Alindro” në rrugën “Reshit Çollaku” në Tiranë, pronë e Ilmar Gugashit, 35 vjeç, shërbente si një nga qendrat ku ushtrohej prostitucioni.
Në këtë hotel u gjetën vajza nga Kazakistani, të cilat shfrytëzoheshin nga Assel Adrysheva, 43 vjeç, dhe Kejvin Ndreu, 25 vjeç. Ndër bashkëpunëtorët është edhe Rostyslav Mieshkov, i cili sillte vajza nga vendet aziatike drejt Shqipërisë, duke e kthyer Tiranën në një pikë kyçe të këtij trafiku njerëzor. Ndër të arrestuarit është edhe Denis Berisha, 39 vjeç, i cili sipas hetimeve u jepte vajzave drogë dhe u siguronte klientë, ndërsa Kenado Prela, 20 vjeç, mblidhte të ardhurat dhe i konvertonte në kriptovalutë për t’i dërguar në llogaritë e grupit në Kolumbi. Prokuroria e Tiranës bëri të ditur se 48 vajza të huaja janë identifikuar si të shfrytëzuara dhe aktualisht po hetohen në gjendje të lirë, ndërsa 2 persona janë nën masën “detyrim paraqitje” dhe 2 të tjerë janë shpallur në kërkim.
Dritan Sukaj, Ilmar Gugashi dhe Mirel Shperdheja