Protesta masive kanë përfshirë kryeqytetin e Gjeorgjisë, Tbilisi, ku dhjetëra mijëra qytetarë kanë dalë në rrugë kundër qeverisë së partisë në pushtet “Georgian Dream”, e cila akuzohet se po e largon vendin nga rruga europiane dhe po e afron me Rusinë.
Të revoltuar nga shtypja e opozitës dhe ndalimi i mediave kritike, protestuesit marshuan me flamuj të Gjeorgjisë dhe të Bashkimit Europian, duke kërkuar “kthimin e pushtetit në duart e popullit”.
Situata doli jashtë kontrollit kur një grup demonstruesish tentoi të hynte në pallatin presidencial, duke goditur portën kryesore. Policia ndërhyri me ujë, gaz lotsjellës dhe spraj piperi për të shpërndarë turmën.
Protestat ndodhën në të njëjtën ditë me zgjedhjet lokale, të cilat janë bojkotuar nga opozita, që i konsideron “të manipuluara”.
Një prej organizatorëve të tubimit, këngëtari i njohur i operas Paata Burchuladze, i bëri thirrje forcave të rendit “t’i binden vullnetit të popullit dhe të arrestojnë drejtuesit e qeverisë aktuale”.
Prej muajsh, Gjeorgjia po përballet me një valë të fortë shtypjeje ndaj opozitës, aktivistëve dhe mediave të pavarura, një klimë që shumë analistë e krahasojnë me modelin autoritar të Moskës.