Një rast serioz që lidhet me sigurinë ushqimore ka ngritur alarmin për produktet që përfundojnë çdo ditë në tregun shqiptar.
Sipas të dhënave zyrtare të Autoritetit Kombëtar të Ushqimit (AKU), në tetor 2024 subjekti “Bajraktari Food” ka importuar rreth 26 mijë kilogramë mish pule të infektuar me salmonelë. Kjo sasi është përdorur si lëndë e parë për prodhimin e mbi 17 mijë e 500 kilogramëve gjiro pule, të cilat më pas janë hedhur në treg dhe kanë përfunduar tek konsumatorët.
Kur analizat laboratorike konfirmuan praninë e bakterit, produktet ishin tashmë shpërndarë dhe konsumuar. Subjekti u gjobit për dy shkelje të ndryshme me një total prej 600 mijë lekësh, por kjo masë u ndërmor kur ishte tepër vonë.
Pas publikimit të rastit në media, redaksinë e JOQ Albania e ka kontaktuar një qytetare e shqetësuar, e cila tregon se fast food ku është përdorur dhe shpërndarë ky mish i kontaminuar ndodhet në Kamëz dhe ajo ka qenë konsumatore e produkteve të këtij subjekti.
Në mesazhin e saj, ajo shkruan:
“Ky fast food që përdor mish me salmonelë ndodhet këtu në Kamëz. I prodhon vetë gjirot dhe furnizon edhe pika të tjera në Tiranë. AKU nuk ka marrë asnjë masë. Na helmuan. Ne e kemi blerë me besim sepse mishi prodhohej nga vetë biznesi.”
Qytetarja kërkon ndërhyrjen e menjëhershme të institucioneve për verifikimin e situatës, në mënyrë që të parandalohet çdo rrezik tjetër për shëndetin e konsumatorëve.