793 mijë € për mobilimin e BKH-së/ SPAK blen 4 mijë m² perde, qindra karrige dhe kolltuqe luksi

Shkruar nga: M Gjini | Publikuar më: 04.10.2025, 18:16

SPAK ka hapur një tjetër tender të majmë, këtë herë për mobilimin e godinës së Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH), me një vlerë maksimale prej 793 mijë euro. Dokumentet zyrtare tregojnë se lista e blerjeve përfshin tavolina pune, kolltuqe, dollapë dhe rreth 3939 metra katror perde me mekanizëm, si dhe 242 karrige me rrota e 12 dollapë zhveshjeje.

Procedurat e tenderit nisën më 24 shtator dhe do të përfundojnë më 24 tetor 2025. Përgjegjës për procesin janë Lulzim Mata, ish-zyrtar i Autoritetit Rrugor, tashmë në SPAK, dhe kancelarja Laureta Binaj, bashkëshortja e gjyqtarit të Gjykatës së Lartë, Sokol Binaj.

Ndryshe nga praktika e zakonshme, tenderi nuk është ndarë në lote të veçanta, duke i dhënë një kompanie të vetme ekskluzivitetin për mobilimin e të gjithë objektit. SPAK e justifikon këtë me “nevojën për koherencë estetike dhe përgjegjësi të qartë teknike”.

Ky investim vjen pas tenderit të rikonstruksionit të brendshëm të godinës, i cili dështoi dy herë, por më në fund në dhjetor 2024 u fitua nga një bashkim kompanish të udhëhequr nga “2T”, me ofertë prej 3.71 milionë euro, duke lënë pas kompaninë “ULZA” të vëllezërve Shpani.

Godina e BKH-së, që ka kushtuar mbi 4 milionë euro për ndërtim, iu dha në përdorim SPAK-ut pas një marrëveshjeje mes Ministrisë së Drejtësisë dhe Bashkisë Tiranë. Për ta përshtatur si ambiente pune për prokurorët dhe oficerët e Byrosë, qeveria miratoi buxhete shtesë për rikonstruksion, ku përfshihet edhe ndërtimi i një tuneli mbi-tokësor që lidh drejtpërdrejt zyrat e reja të BKH-së me Prokurorinë e Posaçme.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit