Gazeta e njohur holandeze De Telegraaf i ka kushtuar një artikull të gjatë dhe të detajuar ngjarjes së rëndë të ndodhur në Bruksel, ku trupi i pajetë i një të riu shqiptar, Bekim Halilaj, u gjet i varur në një tabelë trafiku në unazën e qytetit. Sipas gazetës, dyshohet se bëhet fjalë për një hakmarrje të lidhur me rrjetet e trafikut të drogës.
Në artikull theksohet se Halilaj, 29 vjeç, me origjinë nga fshati Bicaj pranë Kukësit, ishte dënuar në vitin 2017 në Britaninë e Madhe për trafik droge. Ai dhe banda e tij, që ndodheshin ilegalisht në vend, furnizonin qytetin e Southamptonit me kokainë. Gjatë operacionit policor, në makinën e tyre, një Opel Astra me ndarje të fshehta, u gjet kokainë me vlerë 140 mijë paund dhe 30 mijë paund para cash. Ai u dënua me shtatë vite burg.
Pas lirimit nga burgu, Halilaj mendohet të ketë vazhduar aktivitetin kriminal në Belgjikë, ku dyshohet se ishte përfshirë sërish në tregtinë e drogës, së bashku me drejtuesin e dikurshëm të bandës. Burime të ndryshme raportojnë se një sasi e madhe kokaine është zhdukur nga porti i Antwerpit – një ngjarje që mund të ketë çuar në larje hesapesh mes grupeve kriminale.
Gazetari shqiptar Artan Hoxha, i cili ka ndjekur nga afër rastin, hedh poshtë mundësinë e vetëvrasjes dhe pretendon se Halili është rrëmbyer, ekzekutuar dhe më pas varur një skenar që ngjan me metodat e përdorura nga kartelat meksikane të drogës.
Aktualisht, sektori i vrasjeve pranë Policisë Federale Gjyqësore në Bruksel është duke hetuar ngjarjen. Prokuroria belge nuk e ka përjashtuar mundësinë e vetëvrasjes, por të gjitha pistat mbeten të hapura. Megjithatë, De Telegraaf thekson se viktima “me shumë gjasë ishte një kriminel droge”.