Banorët në bjeshkët e Javorit bllokohen nga bora, ekipet e shpëtimit ngecin edhe vetë në rrugë

Shkruar nga: A Shehaj | Publikuar më: 04.10.2025, 12:15

Një familje nga Tropoja vijon të jetë e bllokuar prej ditës së premte në zonën e Bjeshkëve të Javorrit, për shkak të reshjeve të dendura të dëborës dhe stuhive të forta. Arbër Sokolaj, së bashku me prindërit e tij, ndodhen ende në zonën e izoluar, ndërsa përpjekjet për t'u ardhur në ndihmë po përballen me sfida të mëdha.

Ekipet e emergjencës dhe punonjësit e Bashkisë Tropojë janë nisur që në orët e para të mëngjesit drejt zonës së bllokuar, por për shkak të kushteve ekstreme atmosferike dhe erës së fuqishme, rruga vijon të jetë e pakalueshme në disa segmente. Aktualisht, grupet e punës kanë arritur deri në Qafën e Markofçes, ku vijojnë përpjekjet për hapjen dhe pastrimin e rrugës.

Pavarësisht vështirësive, rreth orës 07:30 të mëngjesit është bërë i mundur kontakti me Arbër Sokolajn, i cili ka konfirmuar se gjendja e tij dhe e prindërve është e mirë dhe pa probleme shëndetësore.

Kujtojmë se fillimisht të bllokuar në Bjeshkë mbetën dy të moshuarit, ndërsa djali i tyre u nis për t’i ndihmuar, por edhe ai u përball me të njëjtën situatë, duke mbetur i izoluar nga stuhia e dëborës.

Autoritetet lokale theksojnë se po bëjnë çdo përpjekje për të hapur rrugën dhe për të siguruar ndihmën e nevojshme për familjen e bllokuar.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit