Policia e Shtetit ka finalizuar operacionin e koduar “SCAMS”, duke goditur një rrjet të mirëorganizuar mashtrimi përmes një call-centeri që operonte në kryeqytet. Si rezultat i këtij operacioni, janë arrestuar 2 persona dhe janë proceduar penalisht në gjendje të lirë 38 punonjës të tjerë të përfshirë në aktivitetin kriminal.
Sipas njoftimit zyrtar të Policisë, call-centeri ishte i kamufluar si një biznes i ligjshëm, i licencuar për marketing, suport dhe konsulencë brenda dhe jashtë vendit. Por në realitet, veprimtaria e tij përqendrohej në mashtrimin e qytetarëve nga vende të Bashkimit Europian, duke i joshur të investonin në bursa fiktive.
Administrator i këtij aktiviteti ilegal ishte Kejsi Pergjegji, 28 vjeç, i cili së bashku me bashkëpunëtorin e tij Marjus Hysa, 38 vjeç, u arrestuan nga forcat e rendit. Ndërkohë, 38 punonjës të call-centerit janë vendosur nën hetim për rolet e tyre në këtë skemë mashtrimi.
Gjatë kontrolleve të ushtruara, policia sekuestroi mbi 106 mijë euro dhe 700 mijë lekë. Konkretisht, në banesën e Marjus Hysës u gjetën dhe sekuestruan 41,500 euro dhe 700,000 lekë, ndërsa në ambientet e call-centerit u zbuluan 65,210 europa dokumentacion të burimit.
Gjithashtu, u sekuestruan 51 kompjuterë, 14 celularë, si dhe dokumentacion që përmbante lista me emrat që përdornin operatorët për t'u prezantuar me viktimat, shumat e përfituara nga mashtrimet, objektivat mujore dhe shpërblimet për çdo punonjës. Sipas dokumenteve të gjetura, për muajin tetor bonusi i përgjithshëm i operatorëve kapte vlerën e 1.5 milionë eurove.
Policia vijon hetimet për të identifikuar bashkëpunëtorë të tjerë të mundshëm dhe për të zbardhur të plotë skemën kriminale që fshihej pas këtij “biznesi të ligjshëm”.