Një qytetar denoncon për JOQ një situatë shqetësuese të ndodhur pranë një prej bankomateve të BKT-së në rrugën “Hoxha Tahsim” në Tiranë. Sipas tij, gjatë tentativës për të tërhequr para, pajisja nuk funksiononte dhe nuk kishte asnjë sinjalizim për këtë. Jo vetëm që karta e tij u bllokua pa paralajmërim, por gjithashtu ai mori një SMS që konfirmonte sikur paratë ishin tërhequr që s'ka ndodhur në realitet.
Qytetari thotë se ka kontaktuar me shërbimin ndaj klientit, i cili i konfirmoi se inxhinierët janë në dijeni për defektin. Megjithatë, ai shpreh indinjatën që, pavarësisht problemit të njohur, nuk është vendosur asnjë paralajmërim për përdoruesit, duke sjellë përsëritje të së njëjtës situatë edhe për të tjerë. Deri tani, ai nuk ka marrë asnjë sqarim zyrtar për kartën apo për transaksionin e pasaktë.
Për më tepër, qytetari shton se do të duhet të paraqitet fizikisht ditën e hënë për të tërhequr kartën, gjë që e detyron të ndërpresë aktivitetin e tij të punës, ndërkohë që ndodhet përpara një udhëtimi jashtë vendit. Ai e konsideron të papranueshme që një bankë e përmasave të BKT-së të mos ofrojë transparencë, komunikim të menjëhershëm dhe siguri për klientët e saj në raste të tilla.
Denoncimi i qytetarit:
Dua të parashtroj një ankesë lidhur me një situatë të papërshtatshme që më ndodhi sot në një prej bankomateve tuaja (ATM), konkretisht pranë rrugës “Hoxha Tahsim” në Tiranë. Gjatë përpjekjes për të tërhequr para nga ATM-ja, nuk kishte asnjë sinjalizim apo njoftim që pajisja ishte jashtë funksioni. Si rezultat, tentativa ime për të tërhequr para dështoi, karta ime u bllokua pa asnjë arsye të qartë dhe, për më tepër, mora një SMS që konfirmonte sikur paratë ishin tërhequr – gjë që në fakt nuk ka ndodhur.
Pas kontaktit me shërbimin ndaj klientit, më është komunikuar se inxhinierët janë në dijeni dhe po merren me problemin. Megjithatë, edhe pse personeli teknik është informuar për mosfunksionimin e ATM-së, nuk është ndërmarrë asnjë iniciativë për të sinjalizuar klientët nëpërmjet vetë pajisjes, çka ka bërë që situata të përsëritet edhe për përdorues të tjerë pa asnjë paralajmërim. Deri në këtë moment, nuk kam marrë asnjë njoftim zyrtar apo sqarim mbi rastin.
Gjithashtu, më është bërë e ditur se për tërheqjen e kartës do të duhet të paraqitem fizikisht ditën e hënë, gjë që më detyron të ndërpres aktivitetin tim të punës. Kjo situatë është mjaft e papërshtatshme, sidomos duke qenë se do të udhëtoj jashtë vendit për pak orë. Nëse dukem i pabesueshëm, atëherë telefononi BKT dhe parashtrojini këtë shqetësim, të paktën në ATM e BKT në rrugën Hoxha Tahsim. Unë po vë re që BKT paska problem edhe në ATM të tjera sipas njerëzve që janë këtu dhe vijnë për të tërhequr.
E konsideroj të papranueshme që një institucion financiar i nivelit të BKT-së të mos ofrojë transparencë, reagim të menjëhershëm dhe komunikim të qartë me klientët në raste të tilla.

