Pronari i fasonerisë në Kombinat: Në shkelje me ligjin po më prishin biznesin, bëjnë presion për lekë

Shkruar nga: S. H | Publikuar më: 04.10.2025, 09:32

Një situatë alarmante është regjistruar mëngjesin e sotëm në ambientet e një biznesi fason, ku përfaqësues të Policisë së Shtetit, IKMT dhe IMT kanë ndërhyrë për të shembur objektet e kompanisë, pavarësisht se çështja ndodhet ende në Gjykatën e Apelit dhe vendimet paraprake janë në favor të biznesit.

Pronari i shoqërisë Maliqi shpk dhe JOSA 2003, i cili është edhe administratori ligjor, ka denoncuar ndërhyrjen si të paligjshme dhe të dhunshme, duke theksuar se janë shkelur të gjitha procedurat ligjore dhe vendimet gjyqësore. Sipas tij, në ambientet e kompanisë ushtrojnë aktivitetin e tyre 12 ndërmarrje të ndryshme, ku janë të punësuar rreth 300 persona në linja të përhershme prodhimi.

Ai thotë se është vënë nën presion që mbrëmjen e kaluar nga përfaqësues të drejtimit të krimit ekonomik, të cilët i kanë kërkuar para për të mos ndërhyrë, duke shtuar edhe më shumë dyshimet për një aksion të qëllimshëm dhe të orkestruar kundër tij.

Përmes një apeli publik, administratori i “Maliqi shpk” kërkon ndalimin e menjëhershëm të veprimeve të paligjshme dhe respektimin e vendimeve të gjykatës, duke paralajmëruar pasoja të rënda sociale për qindra familje që mbajnë frymën nga kjo qendër prodhimi. Ai kërkon ndërhyrjen urgjente të institucioneve të drejtësisë dhe organeve shtetërore për të ndalur këtë sulm mbi biznesin.

Pronari i fasonerisë ngre akuza të drejtpërdrejta ndaj inspektorit të IMT-së dhe një zyrtari tjetër, për të cilët thotë se ka bërë kallëzim penal pas kërkesave të përsëritura për ryshfet. Ai përmend edhe emrin e Mariglen Qatos, i cili sipas tij ka kërkuar shuma marramendëse për të ndaluar ndërhyrjet në aktivitetin e kompanisë. Sipas denoncimit, tre muaj më parë i është kërkuar 50 mijë euro përmes emrit të IMT-së, ndërsa më herët 200 mijë euro.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit