Emri i biznesmenes Vilma Nushi është prej vitesh sinonim i koncesionit të shumëdebatuar të “check up”-it, një aferë që Kontrolli i Lartë i Shtetit e ka denoncuar si skemë zhvatjeje të parave publike. Sipas auditimeve, vetëm përmes analizave të pakryera dhe rimbursimeve të padrejta të TVSH-së, ajo ka përfituar mbi 6 milionë euro nga taksat e shqiptarëve.
Mediat raportojnë se megjithëse SPAK ka hapur një dosje që prej vitit 2020, hetimet ecin me ritme të ngadalta, ndërkohë që gjurmët e Nushit lidhen jo vetëm me sektorin e shëndetësisë, por edhe me investime të dyshimta në ndërtim dhe pasuri të paluajtshme.
Një pjesë e konsiderueshme e fitimeve të dyshuara, rreth 3 milionë euro, rezulton të jenë derdhur në projektin 200 milionë euro të kullës “Ekspozita Building”, në pronësi të kompanisë Victoria Construction. Kjo kompani është lidhur drejtpërdrejt me familjen e Ervin Matës, të shpallur në kërkim ndërkombëtar për trafik kokaine dhe të përfshirë në masakrën e ish-Bllokut.
Sipas të dhënave hetimore, Nushi ka kaluar shuma të mëdha në llogaritë e “Victoria Construction” në vitin 2018, vetëm një vit para se qeveria Rama të miratonte lejen e ndërtimit për kullën. Fillimisht 1 milion euro dhe më pas mbi 2 milionë euro të tjera kanë kaluar përmes kompanisë së saj Marketing & Distribution, që është edhe zotëruesja kryesore e koncesionarit 3P Life Logistic.
SPAK ka evidentuar se “Victoria Construction” është përdorur si mekanizëm pastrimi për paratë e trafikut të drogës, duke u kamufluar si investim ndërtimi.
Vilma Nushi nuk ka vepruar e vetme. Ajo ka ngritur një rrjet kompanish të kontrolluara nga motrat, djali, nipat dhe dhëndri, të cilët përdoren për tendera fiktivë dhe qarkullim aksionesh për të fshehur gjurmët e parave.
Raportet e KLSH-së tregojnë qartë se dividentët e ndarë çdo vit nga këto kompani, deri në 3.5 milionë euro, janë fryt i fondeve publike të përvetësuara në bashkëpunim me Fondin e Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor dhe Ministrinë e Shëndetësisë.
Nushi ka përfshirë edhe dy motrat e saj të vendosura në Selanik, Niki dhe Dorothea Gleoudi, për të pastruar miliona euro në pasuri të paluajtshme. Përmes tyre, janë blerë mbi 15 mijë metra katrorë tokë në zonën Katundi i Ri – Kashar, me destinacion ndërtimin e një kompleksi të ri.
Emri i Nushit lidhet edhe me kompani të tjera të zhdukur në mënyrë të dyshimtë, si Hermes, e cila u përfshi në aferën e 50 milionë eurove me impulset telefonike të Albtelekomit, apo me aktivitetin në lojërat e fatit përmes kompanisë “Zbulo Fatin shpk”.
Në shumë raste, bashkëpunëtori i saj ka qenë ish-zv.kryeministri Arben Ahmetaj, sot në kërkim për korrupsion dhe pastrim parash. Madje, Ahmetaj emëroi edhe dhëndrin e Nushit, Endrit Duçka, drejtor të Pronës Publike, duke kaluar pasuri shtetërore tek miqtë e tij.
Edhe pse dokumentet e KLSH-së kanë faktuar vjedhje të qarta me vlerë miliona euro dhe një dëm ekonomik që shkon në dhjetëra milionë, procedimi penal i hapur nga SPAK prej vitit 2020 ende nuk ka sjellë një përfundim.
Ndërkohë, kullat dhe projektet luksoze ku kanë përfunduar paratë e shqiptarëve janë tashmë nën hetim si pastrim i kapitalit të dyshuar të ardhur nga trafiku i drogës dhe korrupsioni në shëndetësi.
Skema e Vilma Nushit shihet si një nga aferat më të mëdha të korrupsionit në historinë e shëndetësisë shqiptare, duke lidhur në një zinxhir të vetëm paratë e buxhetit, familjen oligarke, tenderat e manipuluar dhe botën e krimit të organizuar.








