20 MLN € Rrok Gjokës për tunelin e Skërficës! Tan Agolli ofron 800,000€ të tjera se tuneli s’ka sistem kundra-zjarri

Shkruar nga: F Tenolli | Publikuar më: 03.10.2025, 15:40

Rrugët publike në Shqipëri janë burime pasurish nga paratë publike dhënë oligarkëve. Tuneli i Skarficës, pjesë e rrugës së re Kardhiq–Delvinë, është një rast tipik. Ndërtimi i tij, i nisur vite më parë dhe përuruar në 2022, u shoqërua me ankesa dhe hetime të shumta.

Tenderi i lotit 7, që përfshinte ndërtimin e tunelit, shkoi deri në Prokurorinë e Posaçme, ku ish-drejtoresha e Rrugëve, Sonila Qato, u mor në hetim për shpërdorim detyre. Dyshohet se favorizoi një kompani, por pas ankimimeve, firma “Gjoka” e Rrok Gjokës fitoi kontratën prej rreth 20 MLN €.

Tre vite pas përurimit, Tan Agolli i ARRSH ka konstatuar një mangësi serioze: Tuneli nuk ka sistem mbrojtjeje nga zjarri.

Një problem që rrezikon sigurinë e automjeteve dhe udhëtarëve, dhe që e bën të duket qesharake shpenzimin e mëvonshëm të 800,000€ për të instaluar atë që duhej të ishte pjesë e projektit origjinal.

Tenderi i ri i hapur nga ARRSH ka si objekt krijimin e “qendrës së MZSH dhe instalimet për mbrojtjen nga zjarri në tunelin Kardhiq–Delvinë”.

Por kjo hap dilema të mëdha: pse nuk u parashikua sistemi në projektin fillestar? Kush mban përgjegjësi për këtë dështim? Zyrtarët aktualë apo ata që menaxhuan ndërtimin dhe përurimin e tunelit?

Firma “Gjoka”, e njohur për fitimin e shumicës së tenderëve për rrugë me tunele në Shqipëri, përfshirë edhe projektin e Llogarasë në bashkëpunim me një kompani turke, është sërish në qendër të debatit. Përveç se merr paratë e taksapaguesve, kjo situatë ngre shqetësime mbi kontrollin dhe transparencën e projekteve publike.

Ky skandal tregon se ndërtimi i tunelit, i cili kushtoi 20 MLN €, nuk përfundoi si duhet dhe tani shteti është i detyruar të shpenzojë sërish për të rregulluar gabimet që duhej të ishin shmangur që në fillim.

Institucionet duhet të shtrojnë një hetim të plotë, për të kuptuar pse një element kaq kritik u injorua dhe kush do të mbajë përgjegjësi për një dështim që mund të kishte pasoja serioze për sigurinë publike.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit