Federata Serbe e Futbollit ka zbardhur listën e lojtarëve të grumbulluar nga trajneri Dragan Stojković për dy sfidat e radhës: kundër Shqipërisë më 11 tetor dhe ndaj Andorrës më 14 tetor.
Surpriza e madhe është lënia jashtë e Aleksandar Katai, një prej futbollistëve më në formë në nivel klubesh, vendim që ka ngritur menjëherë diskutime në mediat serbe, por ai nuk është i vetmi siç e dimë tashmë 3 nga figurat kryesore të kampit serb janë dëmtuar duke rritur presionin tek tekniku serb. Megjithatë, “Piksi” ka preferuar të mos bëjë eksperimente në repartin ofensiv, duke ftuar emrat e zakonshëm: Dusan Vlahović, Aleksandar Mitrović dhe Luka Jović, të cilët pritet të mbajnë peshën e sulmit.
Ndeshja ndaj Shqipërisë së Sylvinhos, e programuar në stadiumin e Leskovacit më 11 tetor, shihet si një test kyç për të dyja përfaqësueset. Tre pikët e kësaj përballjeje pritet të kenë një ndikim të drejtpërdrejtë në garën për një vend në Kupën e Botës 2026, duke shtuar tensionin dhe interesin rreth duelit ballkanik.
