Elon Musk ka ndezur debate të reja në rrjetet sociale pasi iu bashkua thirrjeve për anulimin e Netflix, duke kritikuar platformën për përfshirjen e përmbajtjeve me karaktere transgjinorë në një serial të dedikuar për fëmijët.
Në qendër të diskutimit ndodhet seriali i animuar “Dead End: Paranormal Park”, i cili paraqet personazhe nga komuniteti LGBTQ+, mes tyre edhe një protagonist transgjinor. Polemikat shpërthyen pasi në rrjetet sociale qarkulloi një skenë nga seriali, e shpërndarë fillimisht nga faqja konservatore Libs of TikTok, duke ndezur reagime të forta nga grupet konservatore.
Musk publikoi disa postime në platformën e tij X, ku akuzoi Netflix për promovimin e asaj që ai e quan “agjendë woke” dhe për vendosjen e temave që, sipas tij, nuk janë të përshtatshme për fëmijët.
Nga ana tjetër, krijuesi i serialit, Hamish Steele, është bërë shënjestër e një vale të madhe sulmesh homofobike dhe antisemitike, duke theksuar se debati ka kaluar përtej kufijve të kritikës ndaj një vepre artistike dhe është shndërruar në sulme personale.
Netflix deri më tani nuk ka dhënë asnjë reagim zyrtar lidhur me polemikat dhe me fushatën e shpërndarë në rrjetet sociale me hashtag-un “Cancel Netflix”.
Ky rast ka nxitur edhe më shumë ndarjet mes mbështetësve dhe kundërshtarëve të përfaqësimit të personazheve LGBTQ+ në përmbajtjet për fëmijë, duke e kthyer debatin në një çështje të gjerë kulturore dhe politike.

