Pas tetë muajsh hetime intensive dhe bashkëpunimi të ngushtë me partnerët ndërkombëtarë, finalizohet operacioni policor ndërkombëtar “Rrjeti”, i organizuar nga Seksioni për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme në DVP Tiranë, në drejtim të Prokurorisë, në bashkëpunim me Prokurorinë dhe Policinë Kombëtare të Kolumbisë, Policinë kroate, EUROPOL dhe EUROJUST.
Gjatë operacionit u godit një grup kriminal që trafikonte femra nga vendet e Amerikës Latine dhe Azisë Qendrore me qëllim shfrytëzimin e tyre për prostitucion në Shqipëri.
Në vend u ekzekutuan masa sigurie për 9 pjesëtarë të këtij grupi kriminal, prej të cilëve 7 u dërguan në burg. Në Kolumbi u arrestua organizatori i rrjetit, shtetasi kolumbian Lukas Betancur, ndërsa janë shpallur në kërkim dy anëtarë të tjerë të grupit.
Mes personave të arrestuar në Shqipëri janë Assel Adrysheva, Rostyslav Mieshkov, Denis Berisha, Mirel Shperdheja, Dritan Sukaj, Ilmar Gugashi dhe Kejvin Ndreu.
Gjithashtu, janë proceduar penalisht 48 shtetase të huaja për ushtrim prostitucioni. Gjatë hetimeve u zbulua edhe një hotel në rrugën “Reshit Collaku”, ku disa nga këto shtetase akomodoheshin dhe shfrytëzoheshin për prostitucion.
Në kuadër të hetimeve janë sekuestruar shuma parash, 7 celularë dhe prova të tjera të rëndësishme që lidhen me këtë aktivitet kriminal.