“Merruni me problemet tuaja”, Putin thirrje Europës: Qetësoni dhe flini të qetë, s’ju sulmojmë!

Shkruar nga: V Gashi | Publikuar më: 03.10.2025, 01:03

Presidenti rus Vladimir Putin ka deklaruar së fundmi se qytetarët europianë duhet të “flenë të qetë” dhe të shohin problemet e tyre të brendshme, duke hedhur poshtë frikën se Rusia mund të sulmojë ndonjë vend të NATO-s.

Duke folur në forumin “Valdai” në Soçi, ai tha se forcat ruse po avanconin në vijën e frontit në Ukrainë dhe iu përgjigj presidentit amerikan Donald Trump, i cili e kishte quajtur Moskën një “tigër prej letre”.

“Nëse ne jemi tigër prej letre dhe po luftojmë kundër gjithë NATO-s, atëherë çfarë është vetë NATO?” – tha Putin me ironi.

Më tej, ai paralajmëroi SHBA-në se furnizimi i Ukrainës me raketa Tomahawk do të sillte një përshkallëzim të rrezikshëm, pasi ato nuk mund të përdoren pa përfshirjen e drejtpërdrejtë të ushtrisë amerikane. Deri më tani, Uashingtoni nuk ka marrë një vendim përfundimtar për këtë çështje.

Putin akuzoi vendet e NATO-s se po i jepnin inteligjencë, armatim dhe stërvitje Ukrainës, duke nxitur një histeri të rreme, siç e cilësoi ai, për një sulm të mundshëm rus ndaj ndonjë shteti të Aleancës, të cilin e përjashtoi si “të pabesueshëm”.

“Nëse dikush ende dëshiron të provojë të garojë me ne ushtarakisht, le ta bëjë. Kundërpërgjigja jonë nuk do të vonojnë,” theksoi presidenti rus.

Sipas tij, Perëndimi ka poshtëruar Rusinë pas rënies së Bashkimit Sovjetik duke zgjeruar NATO-n dhe duke ndërhyrë në hapësira që Moska i konsideron si sferë të saj influence. Ndërkohë, liderët perëndimorë dhe Ukraina e shohin luftën si një agresion imperialist për pushtim territori, të cilin ata kanë premtuar se do ta ndalin.

Putin i kundërshtoi këto deklarata, duke thënë:

“Qetësohuni, flini të qetë dhe shikoni problemet tuaja. Shikoni çfarë po ndodh në rrugët e qyteteve evropiane.”

Në fund, ai shtoi se ushtria ukrainase po përballej me mungesë serioze të trupave dhe me dezertime, ndërsa Rusia kishte mjaftueshëm forca. Putin deklaroi se Moska kontrollonte pothuajse të gjithë rajonin e Luhanskut, rreth 81% të Donetskut, si dhe afërsisht 75% të Zaporizhias dhe Khersonit.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit