Vetëm 27 ditë pas inaugurimit me pompozitet, aksi i ri Qukës–Qafë Plloçë, që kushtoi plot 260 milionë euro dhe u ndërtua për 16 vite, është përballur me dështimin e parë të madh. Reshjet e para të vjeshtës mjaftuan që një masiv shkëmbor të rrëshqasë mbi rrugë, duke bllokuar një nga tre korsitë dhe duke e kthyer qarkullimin e automjeteve në një rrezik të përditshëm.
Fatmirësisht, nuk pati të lënduar, por ngjarja nxori zbuluar realitetin e hidhur: rruga që duhej të ishte “arteria e zhvillimit” për zonën juglindore, po shpërfytyrohet që në kilometrin e parë të jetës së saj.
![]()
Në vendet normale, një skandal i tillë do të trondiste themelet e shtetit. Do të ngriheshin hetime, do të ndaloheshin tenderat e ardhshëm dhe dikush do të mbante përgjegjësi penale. Por në Shqipëri, gjithçka humbet mes firmave kontraktore, mbikëqyrjes teknike dhe administratës që vë vulën pa u skuqur.
Kush do të japë llogari për një rrugë qindra milionë eurosh që nuk zgjati as sa një sezon turistik? Kompania ndërtuese? Inxhinierët që nënshkruan supervizimin? Apo ministria që e shpalli fitore kombëtare?
![]()
Një gjë është e sigurt: ndërsa përgjegjësia endet pa pronar, qytetari shqiptar vazhdon të vidhet përditë, duke paguar taksa për rrugë që nuk mbijetojnë dot as një shi të parë.
Një segment që duhej të ishte simbol i zhvillimit, sot është dëshmi e korrupsionit dhe klientelizmit që shoqëron çdo vepër publike në Shqipëri.
![]()