FIFA merr vendimin: Izraeli nuk pezullohet nga garat ndërkombëtare

Shkruar nga: I Cani | Publikuar më: 02.10.2025, 17:37

Ashtu siç ishte parashikuar, FIFA nuk mori asnjë masë ndaj Izraelit në lidhje me konfliktin e përgjakshëm në Gaza. Këshilli i organit më të lartë të futbollit botëror u mblodh këtë të enjte në Zyrih, por nuk dha asnjë vendim mbi ankesën e paraqitur nga Federata e Futbollit të Palestinës, e cila është pjesë e FIFA-s prej vitit 1998.

Presidenti i FIFA-s, Xhani Infantino, në fjalën e tij theksoi se sporti nuk ka kompetencë për të ndikuar mbi zhvillimet gjeopolitike.“FIFA nuk mund të zgjidhë problemet gjeopolitike, por mund dhe duhet të promovojë futbollin në mbarë botën duke shfrytëzuar vlerat e tij unifikuese, arsimore, kulturore dhe humanitare,” tha ai.

Infantino nënvizoi se futbolli duhet të mbetet një urë bashkimi dhe shprehu se mendimet e FIFA-s janë me popujt që vuajnë nga konfliktet.

“Në FIFA, ne jemi të përkushtuar të përdorim fuqinë e futbollit për të bashkuar njerëzit në një botë të ndarë. Mesazhi që mund t’i përcjellë futbolli sot është ai i bashkimit dhe paqes,” u shpreh kreu i futbollit botëror.

Megjithatë, vendimi i FIFA-s për të mos ndërmarrë masa ndaj Izraelit ka shkaktuar reagime të ndryshme, duke rritur debatin mbi rolin që sporti duhet të ketë kur lufta dhe dhuna marrin jetën e mijëra civilëve.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit