Siguria në shkolla vetëm reklamë e Ramës: Dy nxënës u plagosën, një 16-vjeçare vrau veten

Shkruar nga: A Shehaj | Publikuar më: 02.10.2025, 15:06

Dy nxënës të gjimnazit “Ibrahim Rugova” ndodhen në spital pas një sherri të dhunshëm të ndodhur paraditen e sotme pranë shkollës. Edhe pse Policia e Tiranës deklaroi zyrtarisht se plagët janë marrë “në rrugë”, burime nga vendngjarja dhe dëshmitarë okularë konfirmojnë se konflikti ka nisur brenda ambienteve të institucionit arsimor.

Ngjarja ka ndodhur rreth orës 10:50 në bulevardin “Nënë Tereza”, shumë pranë shkollës, ku pas një konflikti verbal mes disa të rinjve, situata ka degjeneruar në përdorimin e mjeteve prerëse. Dy 16-vjeçarë janë plagosur dhe ndodhen në Spitalin e Traumës, njëri prej tyre me plagë në kraharor. Një tjetër nxënës ka pësuar dëmtime të lehta dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Ndërkohë ditën e djeshme, një 16-vjeçare, nxënese e po të njëjtit gjimnaz i dha fund jetës duke u hedhur nga kati i 9 i një pallati në ndërtim. Adoleshentja, banuese në Kamëz, hipi në katin e 9 të pallatit te rruga "Gjon Buzuku" dhe u hodh duke humbur jetën menjëherë.

Ironikisht, këto dy incidente kanë ndodhur një ditë pas deklaratave të Kryeministrit Edi Rama, i cili në një postim në rrjetet sociale promovonte masat për “rritjen e sigurisë në shkollat publike”. Në deklaratën e tij, Rama përmendte oficerët e sigurisë, bashkëpunimin me Ministrinë e Brendshme dhe Policinë e Shtetit, si dhe monitorimin e shkollave përmes kamerave dhe strukturave të tjera mbikëqyrëse.

“Në shkollat publike janë vendosur oficerë sigurie që do të garantojnë mbrojtjen e nxënësve nga çdo fenomen negativ,” shkruante Kryeministri, vetëm 24 orë para incidentit të sotëm.

Ngjarja e sotme, megjithatë, tregon një realitet të ndryshëm, një sistem arsimor ku dhuna mes të rinjve nuk është e izoluar dhe masat për parandalimin e saj rezultojnë, në shumicën e rasteve, vetëm në nivel propagandistik.

Ky nuk është një rast i veçuar. Kujtojmë se pak muaj më parë, opinioni publik u trondit nga vrasja e 14-vjeçarit Martin Cani pas një sherri të nisur në shkollë dhe të përfunduar tragjikisht në rrugë. Asokohe pati premtime për reforma, monitorim me kamera dhe ndërhyrje strukturore, por realiteti në terren vijon të jetë i njëjtë.

Autoritetet hetimore po punojnë për zbardhjen e plotë të ngjarjes, ndërsa pritet që drejtoria e shkollës dhe institucionet përkatëse të japin shpjegime për rrethanat dhe masat e sigurisë që duhet të ishin marrë.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit