Një qytetar ka denoncuar për JOQ një rast mashtrimi që i ka ndodhur gjatë ushtrimit të aktivitetit të tij dhënies me qira ditore të garsoniereve, përmes platformës Booking. Ai tregon se kishte dhënë me qira tre garsoniere, të cilat i menaxhonte vetë, por është përballur me një situatë të pakëndshme, ku një klient, Boiken V. që kishte rezervuar vetëm për një natë, qëndroi për dy netë pa paguar dhe, sipas tij, konsumoi lëndë narkotike brenda ambienteve të dhomës.

Sipas qytetarit, pavarësisht premtimeve të vazhdueshme nga klienti për të kryer pagesën, tashmë kanë kaluar dy muaj dhe ai nuk ka marrë asnjë shumë. Ai tregon se pas tentativave për kontakt, klienti e ka bllokuar, duke i mohuar çdo komunikim. “Unë i laj dhe pastroj vetë me djersën e ballit se aq kam mundësi,” shkruan qytetari, duke shprehur zhgënjimin dhe lodhjen nga situata të tilla që rëndojnë ekonomikisht njerëzit e ndershëm.

Denoncuesi thekson se personi në fjalë punon në Aviacionin Civil dhe ndonëse ka prova të sjelljes së tij, nuk i ka publikuar për shkak të etikës. Ai kërkon drejtësi dhe bën thirrje që rasti të bëhet publik, duke mbetur anonim për shkak të nisjes së procedurave ligjore. "Kemi lodhur nga stresi prej këtyre lloj njerëzish," përfundon ai.

“Përshëndetje JOQ dhe uroj të jeni mirë! E di që ndoshta keni shumë kërkesa, por dua të tregoj për dikë. Unë kam pasur 3 garsoniere që i kisha marrë me qira dhe i jepja me qira ditore nëpërmjet platformës Booking. Kam pasur një situatë në të cilën personi që e ka rezervuar ka ikur pa paguar për dy net, ndonëse kishte rezervuar për 1 natë por pastaj e shtynte çdo ditë, dhe praktikisht ka konsumuar lëndë të ndryshme narkotike, përpos që dhomën e kishte lënë qelbur. Pas kontaktit më tha që do m’i sjellë lekët, por sot 2 muaj nuk kam kurrfarë pagese. Unë i laj dhe pastroj vetë me djersën e ballit se aq kam mundësi, të nxjerr pagesën e qirasë etj. etj., ndërkohë që ky zotëria i ka luajtur fenë. Dua thjesht pagesën time, se zotëria më ka bërë bllok. Zotëria punon tek Aviacioni Civil, kam dhe video por për hir të etikës nuk i jap dot. Unë i kam mbyllur se normalisht prej këtyre njerëzve nuk mbijetohet prej kostove, por doja ta bëja publike sepse është djersa ime. Ju lutem anonim, sepse më duhet ta ndjek dhe në rrugë ligjore zotërinë, përpos faktit që jemi lodhur nga stresi nga këta lloj njerëzish”, shkruan qytetari për JOQ.
