Dhuna po shndërrohet gjithnjë e më shumë në një “gjuhë” të zakonshme të shoqërisë shqiptare. Vetëm gjatë vitit 2025 janë regjistruar mbi 80 raste plagosjesh në të gjithë vendin, duke treguar se nga adoleshentët deri tek të moshuarit, asnjë grupmoshë nuk mbetet jashtë këtij realiteti shqetësues.
Rastet janë të shpërndara në qytete të ndryshme, duke reflektuar një fenomen në rritje që nuk mund të konsiderohet më episodik. Vetëm në një muaj, shifra mesatare arrin në 13-14 plagosje me thika, mjete të forta apo armë zjarri.
Ngjarjet variojnë nga konfliktet banale për parkim e deri tek sherrat mes fqinjëve apo lojërat e tavolinës që përfundojnë me plagosje. Më 28 korrik, në një shesh në Durrës, një lojë dominoje mes dy pensionistësh u kthye në tragjedi, kur një 70-vjeçar mbeti i plagosur nga bashkëmoshatari i tij. Po atë muaj, më 17 korrik në Sarandë, një sulm me armë zjarri ndaj dy të rinjve pranë stadiumit të qytetit tronditi sezonin turistik. Në Shkodër, më 31 korrik, dy vëllezër të rinj goditën me thikë dhe mjete të forta një 42-vjeçar. Ndërsa në Tiranë e Durrës, raste të shumta kanë shpërthyer edhe për motive të dobëta si parkimi apo debatet mes fqinjëve.
Ekspertët shpjegojnë se kjo situatë lidhet ngushtë me presionet sociale dhe ekonomike, mungesën e aftësive për menaxhimin e konflikteve dhe dobësimin e lidhjeve komunitare.
“Dhuna nuk është më e kufizuar në një moshë apo grup të caktuar, por ka përfshirë gjithë shtresat shoqërore. Rënia e kohezionit social dhe mungesa e autoritetit tradicional kanë hequr barrierat që dikur parandalonin përplasjet”, shpjegon psikologia klinike M. B.
Ajo shton se përveç faktorëve ekonomikë si papunësia dhe varfëria, një rol të madh ka edhe ekspozimi i hershëm ndaj modeleve të dhunshme në media dhe rrjete sociale, të cilat e normalizojnë dhunën si mjet reagimi. Një tjetër faktor që ushqen agresivitetin sipas saj është varësia nga substancat narkotike, e cila sjell shpërthime të pakontrolluara.
Ngjarjet e shpeshta tregojnë një shoqëri ku dialogu po zëvendësohet nga forca. Pensionistët, që dikur ishin figura të autoritetit dhe urtësisë, sot shfaqen të përfshirë në konflikte të dhunshme, ndërsa të rinjtë shpesh e përdorin dhunën për t’u imponuar.
Psikologët e cilësojnë këtë si një “krizë komunikimi”, ku aftësitë e dialogut dhe tolerancës janë dobësuar ndjeshëm.
“Në të kaluarën, lidhjet familjare e fqinjësore funksiononin si valvul sigurie. Sot, individualizimi dhe ritmi i jetës urbane kanë zbehur këto mekanizma, duke lënë individin të izoluar dhe të ekspozuar ndaj shpërthimeve të dhunshme”, thekson psikologia.
Sipas saj, parandalimi i fenomenit kërkon programe sociale për të rinjtë, hapësira komunitare, rritje të shërbimeve psikosociale në bashki, si dhe fushata ndërgjegjësuese për rikthimin e vlerave të solidaritetit dhe respektit reciprok.
Ngjarjet e këtij viti, nga Shkodra në veri e deri në Sarandë në jug, tregojnë se dhuna është bërë një realitet i përditshëm i qyteteve shqiptare – një alarm i fortë për institucionet dhe shoqërinë.