Një konflikt i dhunshëm është regjistruar mesditën e sotme në Bilisht, duke lënë pas dy persona të plagosur. Ngjarja ndodhi pas një debati verbal mes disa personave, i cili degjeneroi në përplasje fizike me sende të forta dhe më pas përdorim thike.
Sipas të dhënave paraprake, tre persona sulmuan një 39-vjeçar me inicialet G.M., të cilit i shkaktuan dëmtime të shumta. Mes autorëve të dyshuar ishte edhe Trajan Çeliku, i njohur për precedentë të mëparshëm problematikë, i cili bashkë me dy shokët e tij dhunoi 39-vjeçarin.
Në tentativë për t’u mbrojtur, G.M. nxori një thikë dhe goditi njërin prej agresorëve, duke e plagosur. Të dy të lënduarit u transportuan menjëherë në spital, ku morën ndihmën e parë mjekësore.
Burime policore bëjnë me dije se kjo nuk është përplasja e parë mes palëve. Konfliktet mes tyre kanë qenë të përsëritura, ndërsa sot situata ka dalë jashtë kontrollit pasi Çeliku, pas një debati të mëngjesit, është rikthyer i shoqëruar nga dy persona të tjerë, duke çuar në përshkallëzimin e dhunës.
Pas trajtimit në spital, të gjithë personat e përfshirë janë shoqëruar në komisariatin e Devollit, ku po merren në pyetje për zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe për përcaktimin e përgjegjësive ligjore.