Përballje titanësh, kampionët e PSG zbresin në fushë kundër Barçës

Shkruar nga: I Cani | Publikuar më: 01.10.2025, 19:00

Personazhi kryesor mungon, por skena mbetet gjigante. Usman Dembele, fitues i “Topit të Artë” dhe njeriu që pritej të ndizte spektaklin, nuk ka udhëtuar me PSG-në për ndeshjen e madhe në Champions League përballë Barcelonës.

Takimi nuk do të zhvillohet ende në “Kamp Nou”-n e rinovuar, që hap dyert pas disa javësh kundër Olimpiakosit, por në “Montjuïc”. Megjithatë, pesha e përballjes nuk zvogëlohet: kampionia e Europës sfidon kampionen e Spanjës dhe kryesuese të La Ligës, në një duel që pritet të dridhë kontinentin.

Luis Enrique, trajneri i PSG-së e cilësoi Barcelonën si “shtëpi” në deklaratat e tij. Me humor tha se Pedri është një “Harry Potter” i futbollit, por qëllimi i tij është i qartë: të mbrojë titullin e vitit të kaluar. Lista e mungesave është e gjatë: përveç Dembele, jashtë mbeten edhe sulmuesi i ri Due, kapiteni Marquinhos dhe ylli gjeorgjian Kvaratskhelia. Në krahun tjetër, lajme të mira për Zhoao Nevesh që rikthehet pas dy ndeshjesh mungesë, ndërsa Vitinha është udhëtues me ekipin, por i pasigurt për minutazhin.

Barcelona gjithashtu nuk është në formacionin ideal. Hansi Flick nuk do të ketë në dispozicion Ter Stegen, Raphinhan, Gavi, Joan Garcia e Fermin Lopez, ndërsa edhe Araujo rrezikon të mungojë. Megjithatë, rikthimi i adoleshentit magjik Lamin Jamal dhe mbrojtësit Balde ringjall shpresat për katalanasit.

Dy ekipet janë “shah i plotë”: 5 fitore për Barcelonën, 5 për PSG-në, 4 barazime. Edhe golat? Identikë, 27 secila. Edhe kualifikimet? Nga 3 secila. Vetëm një detaj e prish këtë ekuilibër: dy herët e fundit ka buzëqeshur PSG-ja.

Një betejë me ritëm të lartë, me Barcelonën që kërkon të riafirmojë autoritetin në Europë dhe PSG-në që vjen si kampione në fuqi, por e cunguar nga mungesat. Flick e quan Barcelonën “favorite”, Enrique e sheh si “shtëpinë” e tij, ndërsa ne do të shohim kush do të kthehet në shtëpi me buzëqeshjen e madhe.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit