Një histori e thjeshtë, por shumë domethënëse, ka mbërritur në redaksinë tonë nga një qytetar që rrëfen një akt solidariteti dhe përkushtimi, i lindur nga një takim krejtësisht rastësor me një të moshuar në Tiranë.
Teksa pinte kafe në një lokal të kryeqytetit, qytetari pa një grua të moshuar që u ul për të pushuar pranë trotuarit. E ftoi për një kafe dhe gjatë bisedës kuptoi se ajo po përjetonte dhimbje në kurriz. Pa e njohur dhe pa patur asnjë lidhje me të, ai vendosi ta ndihmonte dhe e çoi për vizitë në Spitalin e Traumës.
Aty ai thotë se u has me një realitet krejt ndryshe nga ai që shpeshherë prezantohet në publik lidhur me sistemin shëndetësor. Mjekët, sipas tij, u treguan të gatshëm për të ndihmuar, pa hezitim. Në veçanti, ai përmend neurokirurgun Irgen Hodo, i cili jo vetëm i bëri vizitën dhe grafinë të moshuarës, por i përgatiti recetën përkatëse dhe shprehu gatishmërinë për ta ndjekur rastin edhe më tej, nëse do të nevojitej rezonancë.
Qytetari thekson se nuk kërkon mirënjohje për veprimin e tij dhe se qëllimi i ndarjes së kësaj historie është të nxjerrë në pah humanizmin e mjekëve që, pavarësisht sfidave, vazhdojnë të shërbejnë me përkushtim.
Mesazhi i qytetarit:
"Përshëndetje JOQ, rastësisht isha me një të moshuar që kishte nevojë për ndihmë, por pa ma kërkuar ajo vetë, unë e pashë të arsyeshme që ajo kishte nevojë për një vizitë tek mjeku. Nuk hezitova u paraqita në spitalin e Traumës dhe atje hasa një realitet tjetër, nga çfarë na prezantohet shpeshherë. Në një kohë kur shpesh, dashur padashur, figura e mjekut në vendin tonë është paragjykuar dhe jo rrallë është vënë në shënjestër nga media apo opinioni publik. Është e rëndësishme të kujtojmë se përtej rasteve të veçuara, ekzistojnë shembuj të mrekullueshëm të përkushtimit dhe humanizmit,si rasti i mjekut.
Ky rast na kujton se në heshtje, çdo ditë, ka dhjetëra e qindra mjekë që sakrifikojnë kohën, mundin dhe shpesh edhe jetën personale për t’u gjendur pranë pacientëve. Ata nuk kërkojnë duartrokitje, nuk kërkojnë lavdi, por meritojnë respektin dhe mirënjohjen e shoqërisë. Prandaj, ky falenderim publik nuk është vetëm për një mjek të veçantë, por për të gjithë ata profesionistë që punojnë me ndershmëri, përkushtim dhe humanizëm. Le të jetë ky shembull një kujtesë se mjekësia shqiptare ka pasuri të çmuara njerëzore, që e mbajnë gjallë shpresën dhe besimin te sistemi ynë shëndetësor. Me gjithë mirënjohjen dhe respektin më të madh, falenderoj neurokirurgun Irgen Hodo që na kujtoi se ende ka njerëz që i bëjnë nder profesionit të tyre dhe shoqërisë.
Ai përveç se e vizitoji, i bëri grafi për problemin që kishte ,i dha një recetë dhe ishte i gatshëm që pasi të mbaronte mjekimin të vizitonte sërish të moshuarën se ndoshta do i duhej të bënte një rezonancë. Unë ndërkohë nuk e njihja të moshuarën dhe vet dhe mendimi i parë thashë të shkoj tek ushtaraku ta vizitoj se varet çfarë do të kete dhe atje askush nuk hezitoji për ta ndihmuar. Unë nuk dua të falenderohem publikisht dhe nga askush, ashtu e ndjeva për të vepruar dhe e bëra. Ju falenderoj ju që merni në konsideratë mesazhet tona.
Emrin e nënës nuk dua të jetë publik,sepse nuk dua të shqetësoj asnjë nga familjarët e saj,sepse kishte një histori të gjatë dhe nëna e shkretë,e mbase futet në siklete me familjarët e saj. Une asgjë nuk e kam nenen, thjesht e takova rastësisht, kaloji tek kafja ku unë isha ulur, u ul të shplodhej, e ftova në kafe gjatë bisedës më tregoji se kishte dhimbje të kurrizit, për këtë arsye mendova se i duhej një vizitë tek një mjek specialist"