Berat Gjimshiti nuk ndalet! Kapiteni i Kombëtares shqiptare ka thyer një tjetër barrierë në karrierën e tij duke u bërë lojtari i parë kuqezi që arrin shifrën simbolike prej 30 paraqitjesh në Champions League.
Mbrojtësi i Atalantës ishte titullar në ndeshjen e djeshme kundër Club Brugge, ku skuadra bergamase triumfoi 2-1 në kuadër të fazës së grupeve të Champions League, duke vulosur një rekord personal për Gjimshitin.
32-vjeçari nuk shkëlqen vetëm në prapavijë. Sezonin e kaluar, ai la gjurmë edhe në aspektin sulmues, duke realizuar një gol vendimtar kundër Shakhtar Donetsk në ndeshjen e dytë të fazës së grupeve.
Djeshmja nuk ishte përjashtim: sipas “SofaScore”, Gjimshiti ishte futbollisti i dytë më i mirë në fushë, duke marrë notën 8,2 për performancën e tij të vendosur dhe vendimtare.
Me këto arritje, Gjimshiti konfirmon se është jo vetëm një shtyllë e kombëtares, por edhe një figurë historike për futbollin shqiptar në skenën më të madhe europiane.