Kartelet meksikane kanë lidhje me vdekjen e shqiptarit në Bruksel? Mesazhi që morën familjarët

Shkruar nga: A Shehaj | Publikuar më: 01.10.2025, 10:45

Një ngjarje e rëndë është regjistruar në lagjen Anderlecht të Brukselit, ku një shtetas shqiptar, 29 vjeç, është gjetur i varur me kabllo elektrike pranë një qendre tregtare, në një zonë të mbuluar me bimësi.

Trupi i viktimës u zbulua të dielën në një hapësirë publike, disa kilometra larg vendbanimit të tij, duke ngritur pikëpyetje mbi rrethanat e vdekjes. Autoritetet belge kanë nisur hetimet dhe po shqyrtojnë tre pista kryesore: përfshirjen e tij në një konflikt kriminal, përfshirjen në trafik droge, si dhe vetëvrasjen.

Sipas gazetarit Fatos Mahmutaj, i cili po ndjek nga afër çështjen, pista e vetëvrasjes po merret seriozisht, pasi disa familjarë dhe të njohur të viktimës kanë deklaruar se kanë marrë një mesazh të dyshimtë nga telefoni i tij pak para se të gjendej trupi. Në mesazh shkruhej:

Unë po iki në botën tjetër.”

Megjithatë, mënyra e pazakontë e gjetjes së trupit, i varur me kabllo elektrike në një ambient të hapur, ka ngritur dyshime për një skenar të mundshëm vrasjeje apo ekzekutimi, përfshirë edhe përfshirje në ndonjë rrjet kriminal.

Disa media belge kanë spekuluar për një “ekzekutim në stilin e karteleve meksikane”, duke e lidhur ngjarjen me metoda të përdorura në raste të ngjashme në Amerikën Latine. Por gazetari Mahmutaj i ka cilësuar këto spekulime si të nxituara dhe të padrejta ndaj komunitetit shqiptar në Belgjikë.

“Pistën e vetëvrasjes e forcon mesazhi që u ka mbërritur të njohurve të tij. Ka qenë person pa precedentë penalë dhe pa lidhje të njohura me botën e krimit. Paralelizmat me kartelet meksikane thjesht rëndojnë padrejtësisht komunitetin shqiptar, por nuk ndihmojnë aspak në zbardhjen e të vërtetës. Drejtësia belge funksionon me efikasitet, ndaj duhet të presim përfundimet zyrtare,” – u shpreh Mahmutaj.

Në vendin e ngjarjes kanë qenë ekspertë të mjekësisë ligjore dhe prokurorë, ndërsa trupi i viktimës është marrë për autopsi. Hetimet po vijojnë intensivisht dhe autoritetet belge pritet të dalin së shpejti me një konkluzion zyrtar mbi shkakun e vdekjes.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit