Në Namur të Belgjikës ka nisur këtë të hënë procesi gjyqësor i njohur si “Sky ECC”, ku 58 persona përballen me akuza të rënda për kultivim dhe shitje të kanabisit, pastrim parash, armëmbajtje pa leje dhe pjesëmarrje në organizatë kriminale. Veprimtaritë kriminale dyshohet të kenë ndodhur midis viteve 2016 dhe 2024, ndërsa në qendër të procesit ndodhet një shtetas shqiptar në të tridhjetat, i cilësuar si udhëheqësi i dyshuar i rrjetit.
Sipas Sudinfo.be, i riu shqiptar e ka mohuar me forcë këtë rol gjatë marrjes në pyetje: “Më ngarkojnë me akuza nga të gjitha anët dhe më shumë se ç’duhet,” deklaroi ai, duke shtuar se kishte komunikuar me të tjerët përmes platformës së koduar Sky ECC, por jo në formë urdhrash kriminalë. Gjykata belge përmendi gjithashtu se ai ishte arratisur në Spanjë, kishte kryer një operacion dhe kishte ndryshuar emrin për të shmangur kapjen një pretendim që ai e mohoi duke theksuar se operacioni ishte për një problem në hundë.
Përveç tij, edhe bashkëshortja dhe motra e të dyshuarit janë përfshirë në hetim për pastrim parash dhe ndihmë ndaj organizatës. Bashkëshortja e mohoi çdo përfshirje, ndërsa motra u arrestua në Itali, pasi dyshohet se ka transferuar para nga Shqipëria në Belgjikë nën petkun e “huave familjare”. “Jam e habitur që ndodhem këtu,” tha ajo, duke shtuar se pas arrestimit të vëllait, familja është përfshirë nga konfliktet.