Një shtetas shqiptar është dënuar me pesë vite burg pasi u shpall fajtor për shkaktimin e një aksidenti të rëndë, dëmtime përmes drejtimit të rrezikshëm dhe mashtrim me përfaqësim të rremë ndaj një kompanie sigurimesh. Dënimi vjen pas një hetimi të zhvilluar nga Policia e Thames Valley në lidhje me një incident të ndodhur në qytetin e Oxfordit.
Shqiptari, Besjan Karaj, 27 vjeç, banues në Field Avenue, Oxford, u shpall fajtor dhe u dënua më 26 shtator nga Gjykata e Lartë e Oxfordit. Përveç burgimit, ai është pezulluar nga e drejta për të drejtuar automjete për pesë vite e gjysmë, dhe do t’i duhet të kalojë një test të avancuar për të rifituar patentën.
Sipas prokurorisë, ngjarja ndodhi më 13 korrik të vitit të kaluar, kur Karaj, duke drejtuar makinën e tij në rrugën B4017, hyri me shpejtësi të lartë në një kthesë, duke kaluar në korsinë e kundërt dhe u përplas me një motorist 22-vjeçar. Pas përplasjes, ai u largua nga vendngjarja, duke lënë të plagosurin në gjendje të rëndë.
Policia arriti të rindërtojë aksidentin përmes copave të automjetit të mbetura në vendin e ngjarjes përfshirë targën dhe logon e mjetit, që çuan në identifikimin e tij. Mjeti u gjet i djegur, rreth një milje larg nga vendi i aksidentit. Përmes analizës së të dhënave të celularit, hetuesit vendosën Karajn në vendin e ngjarjes dhe gjithashtu pranë vendit ku makina u dogj.
Më vonë, kur viktima kërkoi dëmshpërblim nga kompania e sigurimeve, Karaj pranoi se ishte drejtuesi i mjetit, por tentoi të fajësonte motoristin për përplasjen.
Ai u arrestua më 2 janar të këtij viti dhe u akuzua një ditë më pas.
Gjykata nuk ka bërë publike detaje të mëtejshme mbi gjendjen shëndetësore të motoristit të lënduar.