Shefi i krimeve në Komisariatin e Përmetit, Dhurim Çenko, është pezulluar nga detyra pas dyshimeve se ka pasur dijeni për një rast abuzimi seksual ndaj një 16-vjeçareje dhe nuk ka ndërmarrë asnjë veprim ligjor. Vajza ishte abuzuar për tre vite nga efektivi i policisë Artur Ago, ndërkohë që Çenko, megjithëse i informuar për situatën, nuk ka raportuar krimin. Strukturat e Drejtorisë Rajonale të AMP Vlorë-Gjirokastër janë vënë në dijeni për përfshirjen e tij dhe të disa punonjësve të tjerë të dyshuar.
Ngjarja u zbulua më 18 shtator, pasi në rrjetet sociale nisën të qarkullojnë mesazhe shantazhuese që implikonin Agon në abuzimin seksual. Përveç tij, edhe kolegu i tij, Kristian Prifti, akuzohet për lidhje intime me të miturën. Të dy efektivët dyshohet se kanë pasur kontakte të përsëritura me vajzën, duke abuzuar me pozitën dhe autoritetin e tyre. Ndërkohë, dy persona të tjerë, Kristian Prifti dhe Isi Pasho, janë arrestuar pasi tentuan të shantazhojnë Agon duke i kërkuar 12 mijë euro për të mos publikuar një video komprometuese në një emision investigativ.
Pasho akuzohet edhe për moskallëzim krimi. Hetimet për rastin vijojnë, ndërsa AMP ka nisur verifikime të thelluara për gjithë efektivët e përfshirë në skandal.