Një tërmet i fuqishëm me magnitudë 6.9 ballë ka goditur mbrëmjen e së martës Filipinet qendrore, duke shkaktuar panik dhe shkatërrime të shumta.
Bilanci paraprak flet për pesë viktima dhe dhjetëra të plagosur, ndërsa autoritetet paralajmërojnë se numri i të vdekurve mund të rritet për shkak të personave që dyshohet se ndodhen ende nën rrënoja.
Të gjitha viktimat janë regjistruar në qytetin San Remigio, në ishullin Cebu, ku katër persona humbën jetën pasi u shemb një qendër sportive, ndërsa një fëmijë u zu nën rrënoja në një zonë tjetër të qytetit.
Lëkundja e fortë u ndje rreth orës 22:00 me orën lokale, 17 km në verilindje të qytetit Bogo, duke rrëzuar mure, duke çarë rrugët dhe duke lënë pa energji mijëra familje. Pamje të publikuara në rrjetet sociale tregojnë kishën shekullore “Shën Pjetri Apostull” në Bantayan, e cila u shemb pjesërisht. Pamje të tjera tregojnë automjete që lëkunden fort në një autostradë gjatë tërmetit, ndërsa në një video tjetër shihen persona në një festë që përfshihen nga paniku.
Zjarrfikësit dhe ekipet e shpëtimit po punojnë mes rrënojave, me frikën se nën ndërtesat e shembura mund të ketë ende persona të bllokuar. Situatën e rëndojnë pasgoditjet e shumta, ndërsa mijëra banorë kanë kaluar natën jashtë, të frikësuar të kthehen në shtëpi.
Guvernatori i Cebus, Pam Baricuatro, u ka bërë thirrje qytetarëve të ruajnë qetësinë, duke theksuar se ndihma nga qeveria qendrore është duke mbërritur.
Filipinet shtrihen mbi “Unazën e Zjarrit”, një zonë me aktivitet të lartë sizmik ku tërmetet dhe shpërthimet vullkanike janë të zakonshme.