330 mijë euro për mirëmbajtjen e Qukës–Qafë Plloçë: Fituesit e tenderit, të paracaktuar?

Shkruar nga: M Gjini | Publikuar më: 30.09.2025, 20:40

Tri javë pas hapjes për qarkullim të rrugës Qukës–Qafë Plloçë, Autoriteti Rrugor Shqiptar ka shpallur me shpejtësi një tender për mirëmbajtjen e saj. Shuma e akorduar është rreth 330 mijë euro për 43 kilometra rrugë, ndërtimi i të cilave zgjati më shumë se 15 vite.

Tenderi është hapur vetëm pak javë pas inaugurimit, duke ngritur pikëpyetje mbi transparencën dhe shpejtësinë e procesit. Analistët dhe qytetarët dyshojnë se fitues mund të jenë firmat që e ndërtuan rrugën, pasi koha e shkurtër e tenderit favorizon kompanitë me njohuri të plotë të segmentit.

Firmat private që kanë ndërtuar rrugën nuk mbajnë përgjegjësi për bllokimet apo prishjet e mundshme pas dorëzimit, ndryshe nga detyrimet që parashikon kontrata. Situata ngjason me atë të rrugës Korçë–Ersekë, ku një segment u shemb dhe ARRSH-ja akordoi miliona euro për riparimin e tij.

Tenderi i hapur nga drejtori Gentian Gjyli ka objekt: “Mirëmbajtje me performancë e segmentit rrugor Qukës–Qafë Plloçë”. Fondi limit i procedurës është 31.819.342 lekë pa TVSH (rreth 328 mijë euro), ndërsa kontrata ka kohëzgjatje 12 muaj. Hapja e zarfeve është parashikuar për 28 tetor. Segmenti ka gjatësi 43.3 km, me lartësi që varion nga 420 m deri në 1220 m mbi nivelin e detit.

Sipas ARRSH-së, ky aks është pjesë e rrugës kombëtare Tiranë–Elbasan–Korçë, lidh fshatrat e zonës së Mokrës me pjesën tjetër të vendit dhe kalon në terren malor. Mirëmbajtja dimërore është e detyrueshme, pasi segmenti nga km 25 deri në km 40 përballet me reshje intensive dëbore, ortekë dhe ngrica sistematike.

Ndërtimi i rrugës ka kushtuar rreth 270 milionë dollarë, ndonëse projekti parashikonte kosto 150 milionë USD. Rruga është ndarë në tre lote dhe tashmë përballet me sfidën e mirëmbajtjes, ndërsa qytetarët dhe ekspertët kritikojnë shpejtësinë e tenderit dhe mungesën e transparencës në proces.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit