Asteroidi 2024 YR4, i quajtur nga shkencëtarët “shkatërrues qytetesh”, ka shkaktuar shqetësim global për shkak të rrezikut të mundshëm të përplasjes me Hënën më 23 dhjetor 2032.
Fillimisht u mendua se ai mund të binte në Tokë, duke shkatërruar një qytet të tërë, por NASA më pas e uli mundësinë e goditjes së Tokës në vetëm 0.00081%. Megjithatë, probabiliteti që të përplaset me Hënën në të njëjtën datë mbetet mbi 4%.
Sipas një studimi të publikuar së fundmi, shkencëtarët po shqyrtojnë një opsion ekstrem për ta ndalur: përdorimin e bombave bërthamore për ta shkatërruar asteroidin përpara se të arrijë në Hënë.
Nëse një përplasje ndodh, grimcat dhe pluhuri i hedhur nga Hëna mund të kthehen në mikrometeoroidë që rrezikojnë satelitët në orbitën e Tokës, astronautët e programit Artemis, madje edhe Stacionin Hapësinor Ndërkombëtar. Ky fenomen mund të rrisë deri në 1000 herë nivelin normal të meteoritëve që bien mbi Tokë për disa ditë, duke krijuar një nga spektaklet më të jashtëzakonshme në qiell, por edhe një kërcënim serioz për misionet hapësinore.
NASA thekson se ekzistojnë vetëm dy mënyra për ta shmangur një përplasje të tillë: devijimi i asteroidit ose shkatërrimi i tij. Për momentin, mbetet e paqartë nëse kjo strategji do të vihet ndonjëherë në zbatim.