Genti Krasniqi, 62 vjeç, një nga emrat më të kërkuar nga Interpoli për trafik ndërkombëtar droge, është arrestuar në qytetin Tunja të Kolumbisë, pas gati një dekade në arrati. Autoritetet kolumbiane konfirmuan kapjen e tij, ndërsa ai paraqitej si turist i huaj në qytetin malor, pasi kishte hyrë në vend që prej vitit 2023. Ai ndodhet aktualisht në paraburgim në pritje të kërkesës zyrtare për ekstradim nga autoritetet italiane.
Krasniqi u identifikua si pjesë e një rrjeti të trafikut ndërkombëtar të drogës që operonte nga Tirana drejt Italisë dhe më tej nëpër Europë, duke përdorur edhe prostituta për transportin e lëndëve narkotike. Në vitin 2016, Prokuroria e Milanos kishte zbuluar një apartament luksoz në të cilin ai, bashkë me partneren e tij Irma Veruari, fshihnin heroinë të ardhur nga Shqipëria. Edhe pse partnerja u arrestua, Krasniqi arriti të arratisej, duke u zhdukur për vite me radhë.
Gazeta kolumbiane El Tiempo thekson se kapja e Krasniqit hedh dritë mbi praninë gjithnjë e më të madhe të rrjeteve shqiptare në tregun global të drogës, veçanërisht në Kolumbi vend që aktualisht ka mbi 250 mijë hektarë me kultivim kokaine. Autoritetet po hetojnë kontaktet e Krasniqit në Kolumbi dhe mënyrën se si ai shmangu kontrollet pavarësisht "kodit të kuq" të Interpolit.