Sopranoja e njohur Eva Golemi ka thyer heshtjen duke shpjeguar se çfarë ndodhi disa ditë më parë në skenën e Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit, ku ajo u rrëzua në momentin final të shfaqes.
Ajo thotë se si pasojë e rrëzimit në skenë mjekët i kanë këshilluar 10 ditë pushim. Momentalisht ndodhet në shtrat, ndërkohë që nga rrëzimi ka pësuar shembje të legenit.
Sipas asaj që ka deklaruar sopranoja, e gjitha ndodhu për shkak të neglizhencës që tregoi tenori Mario Rojas, i cili nuk e priti kur u shtri.
“Jam në shtrat. Kam shembur legenin dhe mjekët më kanë këshilluar 10 ditë pushim. Do bëj sërish vizita e më pas do shoh gjendjen. Ishte neglizhencë e tenorit, pasi nuk më priti në momentin që po bija. Nuk më ka ndodhur kurrë më parë. Dhe në pamje duket qartë se i kujt ishte gabimi. Nuk ka pasur asnjë reagim nga ana e tij”, tha ajo.
Incidenti i pazakontë ndodhi mbrëmjen e 26 shtatorit, në premierën e “La Traviatës” në Teatrin Kombëtar të Operas dhe Baletit. Eva Golemi në rolin e Violetës duhet të binte në krahët e Alfredos, rol që luhej nga tenori Mario Rojas, por ky i fundit nuk e realizoi siç duhet rolin e tij. Rojas ndodhej larg Golemit, duke e lënë sopranon të rrëzohet në tokë.
Shkrimi i përket TVA News!