Një ngjarje e rëndë ka tronditur Brukselin të dielën ku një 29-vjeçar shqiptar është gjetur i varur në një tabelë sinjalizimi pranë zonës së njohur “Westland Shopping”, një vend që konsiderohet strategjik për trafikun e drogës.
Sipas informacioneve që kanë dalë deri tani, trupi i tij ishte varur nga pjesa e pasme e tabelës me një kabllo, një formë agresive që përdorin grupet kriminale për të dërguar mesazhe te rivalët e tyre. Policia Federale e Belgjikës dhe Prokuroria e Prokurorit Mbretëror kanë nisur hetimet intensive, ndërsa rrethanat e vdekjes konsiderohen të dyshimta.
Pista e vetëvrasjes nuk është përjashtuar deri më tani, por dyshimet janë se ai mund të jetë vrarë për shkak të aktiviteteve të krimit të organizuar.
Në skenë janë përfshirë Laboratori i Policisë Federale Gjyqësore, një mjek ligjor dhe një gjykatës hetues, që po zbërthejnë çdo detaj të rastit. Autoritetet ende nuk kanë dhënë një shpjegim përfundimtar, por janë duke eksploruar të gjitha pistat.
Drejtori i Policisë Gjyqësore Federale të Brukselit, Eric Jacobs, në komentet për media ka paralajmëruar se rrjetet kriminale shqiptare dhe të tjera në Bruksel përdorin taktika të njëjta për të kontrolluar territore dhe për të treguar forcë, dhe se kjo ngjarje mund të jetë vetëm “maja e ajsbergut”, duke lënë të nënkuptohet se shumë ngjarje të ngjashme mund të mos dalin kurrë në publik.