Një sasi eksplozivi është vendosur mbrëmjen e së hënës në automjetin e Ilir Locit, kryetarit të Njësisë Administrative të Fushë-Krujës. Ngjarja ka ndodhur pranë një restoranti ku ndodhej Loci në momentin e shpërthimit. Fatmirësisht, nuk ka pasur të lënduar, por përveç dëmeve në makinën e tij tip "Range Rover", është dëmtuar edhe një tjetër automjet që ndodhej rreth 10 metra larg, në pronësi të një qytetari që po darkonte në lokal.
Ilir Loci ka deklaruar për autoritetet se nuk ka konflikte me askënd dhe se nuk ka dijeni mbi motivet e mundshme të këtij akti. Megjithatë, burime nga grupi hetimor dyshojnë se shpërthimi mund të ketë qenë një paralajmërim në lidhje me detyrën që ai ushtron në administratën vendore. Eksplozivi dyshohet të jetë hedhur nga një rrugicë anësore e restorantit, çka tregon një planifikim të mirëfilltë të ngjarjes. Policia po vijon hetimet për të zbardhur plotësisht rrethanat, si dhe për të identifikuar autorin apo autorët e dyshuar.
Pamjet e kamerave të sigurisë pranë zonës së ngjarjes janë sekuestruar, ndërsa janë shoqëruar disa persona për t’u marrë në pyetje. Autoritetet nuk përjashtojnë asnjë pistë, ndërsa rasti ka shkaktuar shqetësim të madh në opinionin publik lokal.