BDI: Obsesioni i Mickoskit për të zhdukur BDI-në nuk do të realizohet

Shkruar nga: B Hasi | Publikuar më: 30.09.2025, 09:24

BDI sot ka reaguar ndaj deklaratave të kryetarit të OBRM-PDUKM-së, Hristijan Mickoski i cili tha se në këto zgjedhje do ta "pensionojë politikisht" Ali Ahmetin.

"Mbrëmë, Hristijan Mickoski shpërfaqi qartë obsesionin e tij politik për të kontrolluar skenën shqiptare në Maqedoni. Deklarata e tij e fundit, ku flet për “pensionimin politik” të liderit të shqiptarëve, Ali Ahmeti, nuk është vetëm një dëshirë personale, por një vazhdim i strategjisë së tij për të dobësuar, marginalizuar dhe kontrolluar shqiptarët.

Vetëm disa ditë më parë, ai deklaroi se qëllimi i këtyre zgjedhjeve është zhdukja e BDI-së nga skena politike e vendit, dhe kështu konfirmoi atë që kemi paralajmëruar për muaj të tërë: Mickoski nuk kërkon thjesht fitore zgjedhore, por dominim mbi shqiptarët dhe përpjekje për të kontrolluar përfaqësimin e tyre.

Mickoski dhe OBRM-PDUKM, kur flasin për “zogj e bilbila”, i referohen vetëm “shqiptarëve të tyre të ndershëm”, ata që i kanë nën kontroll në qeveri. Por shqiptarët e vërtetë, shqiponjat e këtij vendi, nuk mund të mbyllen nën një çati politike. Më 19 tetor, shqiptarët do të tregojnë fuqinë dhe vendosmërinë e tyre, duke i dhënë përgjigjen e merituar këtij obsesioni.

Kjo platformë ideologjike e rrezikshme, vegël e projektit të famshëm të “botes serbe”, synon të imponojë politikanë shqiptarë të dobët e të nënshtruar, që heshtin vetëm për të ruajtur pushtetin personal. VLEN-i është instrumenti i tij për të kontrolluar skenën politike shqiptare, por shqiptarët nuk do të heshtin.

BDI ka qenë dhe mbetet zgjedhja e shqiptarëve. Ne kemi qenë gjithmonë adresa e qytetarëve, garantuesi i përfaqësimit të vërtetë dhe të dinjitetshëm. Askush nuk ka të drejtë të vendosë për shqiptarët përveç vetë shqiptarëve. Ky është mesazhi ynë i prerë: më 19 tetor, shqiptarët do të tregojnë fuqinë dhe vendosmërinë e tyre", thuhet në reagimin e BDI-së./Telegrafi/

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit