Një shpërthim i fuqishëm ka tronditur mbrëmjen e së hënës qytetin e Fushë-Krujës, ku një automjet tip Range Rover, në përdorim nga kreu i Njësisë Administrative, Ilir Loci, është hedhur në erë.
Mjeti ndodhej i parkuar pranë një restoranti kur në pjesën e përparme të tij shpërtheu një sasi e konsiderueshme lënde plasëse. Dyshohet se eksplozivi është vendosur nga një rrugicë anësore pranë restorantit.
Fuqia e shpërthimit ka qenë aq e madhe sa u dëgjua në të gjithë zonën përreth, duke shkaktuar dëme të mëdha materiale. Përveç automjetit të administratorit, është dëmtuar edhe një tjetër fuoristradë që ishte parkuar aty pranë. Fatmirësisht, nuk raportohet për persona të lënduar.
Forca të shumta policie dhe grupi hetimor ndodhen në vendngjarje, ndërsa ende nuk ka informacion mbi autorët apo motivet e mundshme të kësaj ngjarjeje.