Partia Socialiste është hedhur menjëherë në ofensivë për të zgjidhur çështjen e drejtimit të Bashkisë së Tiranës pas largimit të Erion Veliajt. Që nga momenti kur qeveria mori mandatin e katërt, procesi për zëvendësimin e tij është kthyer në prioritet absolut.
Vendimet kanë ardhur njëri pas tjetrit: fillimisht në Këshillin Bashkiak, më pas në Këshillin e Ministrave, i cili pa humbur asnjë orë njoftoi Komisionin Qendror të Zgjedhjeve për krijimin e vakancës.
Në dokumentet zyrtare theksohet se të enjten, më 25 shtator, menjëherë pas mbledhjes së qeverisë, KQZ është vënë në dijeni për vendimin që e largon Veliajn nga posti i kryebashkiakut.
“Në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 25.09.2025, është miratuar vendimi nr. 539, datë 25.9.2025, ‘Për shkarkimin nga detyra të kryetarit të Bashkisë Tiranë, z. Erion Veliaj’”, thuhet në shkresën zyrtare.
Por vetë Veliaj nuk ka qëndruar pasiv. Ai ka përdorur çdo hapësirë ligjore dhe këtë të hënë i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese për të kundërshtuar shkarkimin, duke argumentuar se vendimi është i padrejtë dhe bie ndesh me Kushtetutën. Kjo lëvizje pezullon automatikisht edhe firmën e kryeministrit Edi Rama mbi vendimin, duke bllokuar përkohësisht mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme në kryeqytet.
Ndërkohë, edhe Gjykata Kushtetuese ka lëvizur me shpejtësi. Po sot është caktuar gjyqtarja që do të marrë në shqyrtim kërkesën e Veliajt. Relatore e çështjes do të jetë Sonila Bejtja.