Një ngjarje dramatike ka ndodhur të enjten rreth orës 18:00 në Via Machiavelli, pranë sheshit Vittorio Emanuele, Romë. Një nënë 60-vjeçare arriti të shpëtojë vajzën e saj 21-vjeçare, e cila po përpiqej t’i jepte fund jetës duke u hedhur nga kati i katërt i pallatit.
Sipas mediave italiane, vajza kishte marrë pak çaste më parë një telefonatë nga i dashuri i saj, i cili i kishte thënë se po e ndërpriste lidhjen. E mërzitur dhe në gjendje të rënduar emocionale, ajo ishte mbyllur në dhomë me qëllimin për t’u hedhur nga dritarja.
Nëna, e shqetësuar dhe e ndërgjegjshme për gjendjen e vajzës, e ndoqi deri në dhomë. Në momentin kur pa të hapte dritaren, ajo reagoi me shpejtësi duke i kapur vajzës këmbët dhe duke e mbajtur me forcë për disa minuta.
“Më lër të vdes”, bërtiste vajza, ndërsa nëna thërriste për ndihmë: “Ju lutem më ndihmoni, nuk po e mbaj dot vajzën time që do të vrasë veten!”.
Një kalimtar, i cili dëgjoi ulërimat, lajmëroi policinë duke telefonuar 112. Dy patrulla mbërritën menjëherë në vendngjarje. Një banor i pallatit u tha policëve se në apartament ndodheshin vetëm nëna dhe vajza.
Policët, duke mos pasur rrugë tjetër, e hapën derën me shkelma dhe u futën në banesë. Ata arritën të mbërrijnë në dhomë në momentin kur gruaja po humbiste forcën. Agjentët zëvendësuan nënën dhe e tërhoqën vajzën brenda, duke i shpëtuar kështu jetën.
Ky episod po trajtohet si shembull i ndërhyrjes së shpejtë dhe guximit prindëror që shmangu një tragjedi të sigurt.