Pak ditë më parë, Tepelena u trondit nga vrasja e biznesmenit italian Edoardo Sarchi, ngjarje kjo që ndodhi në orët e para të së shtunës, më 27 shtator. Autoritetet kanë identifikuar tashmë të dyshuarin për krimin.
Sipas hetimeve, autori është Kamber Sulçe, 48 vjeç, nga Vlora, i cili punon si çoban dhe është shpallur në kërkim. Autori i dyshuar fillimisht është konfliktuar verbalisht për motive të dobëta me biznesmenin italian dhe me personat që e shoqëronin. Sherri nisi për dritat e gjata të makinës.
Më pas, autori Kamber Sulçaj dyshohet se ka qëlluar me armë gjahu çifte e kalibrit të rëndë në drejtim të tyre në aksin “Nivicë-Salari”, ku si pasojë e të shtënave, humbi jetën 44-vjeçari Edoardo Sarchi. Siç mësohet, plumbi bëri rikoshet në asfaltin e rrugës dhe preku 44-vjeçarin italian duke i shkaktuar vdekjen për shkak të hemorragjisë.
Policia ka sekuestruar automjetet e përdorura nga viktima dhe shoqëruesit e tij, si dhe dy armë gjahu nga vendngjarja. Përveç tyre, janë marrë në cilësinë e provave edhe automjeti i përdorur gjatë krimit, veshjet e autorit, dy kasaforta, 2 500 000 lekë në valutë lek dhe euro, tre armë gjahu, municion për armë gjahu me saçme, municion për armë me vjaska, si dhe 450 fara të dyshuara si kanabis.