Disa shkrime dhe simbole me përmbajtje satanike janë vërejtur së fundmi nga një qytetar pranë liqenit artificial të Tiranës, përballë një kishe që është në ndërtim. Grafitet përfshijnë fraza si “HAIL LUCIFER” dhe simbole të errëta që përqafojnë satanazimin, një sekt i praktikave antifetare.
Mes simboleve të vizatuara spikasin një pentagram i kthyer, një yll me pesë cepa që shpesh lidhet me ritualet okulte dhe përdoret nga grupime satanike, si dhe një A e rrumbullakosur, e njohur si simbol i anarkisë, që përdoret për të shprehur kundërshtimin ndaj autoritetit dhe rendit shoqëror.
Disa prej vizatimeve përfshijnë gjithashtu edhe figura të dhisë me brirë e njohur si “Baphomet”, që është një tjetër ikonë që lidhet me mitologjinë satanike dhe kultet e errëta. Prania e këtyre grafiteve ka shqetësuar qytetarët që frekuentojnë zonën.
Ata kërkojnë që autoritetet të ndërhyjnë për të pastruar mjedisin nga këto graffitë, për të ruajtur integritetin e zonave të shenjta dhe të respektit publik duke theksuar edhe rrezikun nga ritet satanike që në Shqipëri kanë marrë shumë jetë të rinjsh dhe kanë masakruar kafshët.