Dinamo e Zagrebit shënoi një tjetër fitore bindëse në kampionat, duke mposhtur 4-1 Slaven Belupon, por festa e “bluve” u shoqërua me një notë shqetësimi për shkak të sulmuesit të Kombëtares shqiptare, Arbër Hoxha.
Në një pjesë të parë spektakolare, Hoxha ishte protagonist absolut. Në minutën e 41-të ai shpërtheu me një aksion individual dhe goditi saktë në rrjetë, duke kaluar Dinamon në avantazh. Vetëm pak minuta më vonë, në shtesë, shqiptari tregoi vizionin e tij, duke shërbyer një asist perfekt për Kulenoviç, që çoi shifrat në 2-0.
Megjithatë, entuziazmi i tifozëve u zbeh sapo nisi pjesa e dytë. Hoxha nuk u rikthye më në fushë, duke lënë vendin për Mateo Lisicën. Sipas raportimeve nga stafi i Dinamos, sulmuesi ka ndjerë dhimbje në zonën e aduktorit dhe nuk u rrezikua të vazhdonte lojën. Për momentin nuk ka një diagnozë të saktë, ndërsa kontrollet mjekësore pritet të përcaktojnë shkallën e dëmtimit në orët e ardhshme.
Pavarësisht mungesës së tij në 45 minutat e dyta, Dinamo nuk e ndali marshimin, duke e mbyllur sfidën me shifrat 4-1. Hoxha, me një gol dhe një asist në vetëm një pjesë loje, la gjurmë si lojtari më vendimtar i takimit, por tashmë vëmendja e gjithë sportdashësve shqiptarë është e përqendruar tek gjendja e tij fizike, sidomos me ndeshjet e ardhshme të Kombëtares që afrojnë.