Vrasja e biznesmenit italian në Shqipëri, kushëriri: Dyshoj për një konflikt me fëmijët e ortakut

Shkruar nga: S. H | Publikuar më: 29.09.2025, 10:25

Familjarët e Edoardo Sarchit, sipërmarrësit italian të vrarë në rrethana misterioze në Tepelenë, vijojnë të kërkojnë të vërtetën mbi ngjarjen e rëndë që ka tronditur jo vetëm Shqipërinë, por edhe komunitetin italian. Në një intervistë për prestigjiozen La Repubblica, kushëriri i viktimës, Riccardo Barbieri, ka shprehur pikëllimin e thellë të familjes dhe ka ngritur dyshime se pas vrasjes mund të qëndrojë një konflikt i mundshëm me djemtë e ortakut të tij.

“Diçka ka ndodhur me dy fëmijët e ortakut të tij; mendojmë se ishte një sherr,” shprehet Barbieri, duke shtuar se vetëm hetimet do të mund të zbulojnë të vërtetën. Ai tregon se familja nuk ka ende informacion të sigurt mbi rrethanat e ngjarjes dhe se lajmet që marrin janë vetëm nga mediat lokale. “Edoardo ishte një njeri i butë, i sinqertë dhe baba i dy fëmijëve. Si mundën t’ia bënin këtë?” – shprehet ai me dhimbje. Barbieri tregon gjithashtu se nuk kishte pasur kontakte të shpeshta me kushëririn e tij vitet e fundit, përveç një takimi tre vite më parë, gjatë funeralit të babait të viktimës.

Ai kujton se pavarësisht dhimbjes, ajo ditë ishte një moment ribashkimi për familjen e gjerë. Sipas tij, Edoardo kishte lënë Italinë për t’u vendosur në Shqipëri rreth 20 vjet më parë, ku kishte nisur aktivitetin në ndërtim në bashkëpunim me të afërmit. Për momentin, familja e viktimës po ndjek me vëmendje zhvillimet në Shqipëri dhe shpreson që autoritetet vendase të zbardhin plotësisht motivet dhe autorët e vrasjes. “Gruaja e tij është ende atje, si dhe kushërinjtë me të cilët ai nisi punën. Ne nuk arritëm të shkonim në funeral, por zemra jonë është me të. Tani presim vetëm drejtësi,” përfundon Barbieri.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit