Detaje të rejan janë zbardhur nga ngjarja e rëndë e ndodhur mëngjesin e së shtunës në zonën e thellë të Dilanit, mes Nivicës dhe Salarisë në Tepelenë, ku mbeti i vrarë biznesmeni italian Edoardo Sarchi, 44 vjeç.
Sipas burimeve zyrtare nga Policia e Gjirokastrës dhe dëshmive të mbledhura deri më tani, nuk bëhet fjalë për një vrasje aksidentale apo nga pakujdesia, por për një atentat të mirëorganizuar, i kryer nga një person ende i paidentifikuar.
Nga hetimet paraprake mësohet se Sarchi ndodhej në një udhëtim privat në zonën e Kurveleshit, së bashku me mikun e tij Eqrem Braçi dhe dy djemtë e këtij të fundit. Ata po udhëtonin me dy automjete fuoristradë nga drejtimi i Nivicës drejt Salarisë, kur rreth orës 06:00 të mëngjesit ndodhi sulmi i armatosur.
Fillimisht, dëshmitarët kanë raportuar se kanë dëgjuar tre të shtëna armësh në afërsi, çka i ka detyruar të ndalojnë njërin prej mjeteve, një Land Rover ku ndodhej viktima. Pak minuta më pas, një breshëri tjetër armësh është dëgjuar, ndërsa një person i armatosur është shfaqur në rrugë në një distancë prej rreth 15 metrash, duke hapur zjarr në drejtim të gomave të mjetit, pa artikuluar asnjë fjalë.
Nga të shtënat, një plumb rikoshet ka goditur Sarchin në pjesën e femurit të këmbës së djathtë, duke i shkaktuar një plagë të rëndë me hemorragji masive. Pavarësisht përpjekjeve për ndihmë, biznesmeni italian ka ndërruar jetë para mbërritjes së ndihmës mjekësore.
Policia ka shoqëruar në komisariat Eqrem Braçin, djemtë e tij Gazmend dhe Daniel Braçi, si dhe një banor të zonës, Armir Hitovezi, që po udhëtonte me ta, të gjithë në cilësinë e dëshmitarëve. Pritet që dëshmia e tyre të rikonfirmohet apo të zgjerohet në ditët në vijim në varësi të zhvillimeve të hetimeve.
Forcat e policisë kanë ngritur katër postblloqe në zonën e Kurveleshit dhe janë angazhuar dy grupe specialistësh që po kërkojnë autorin në terren, duke kontrolluar zonën nga fshati Gusmar në veri deri në Dukaj në jug. Dyshohet se autori mund të jetë larguar drejt zonës perëndimore, në drejtim të Vlorës.
Ngjarja ka tronditur jo vetëm komunitetin lokal, por edhe autoritetet italiane që janë vënë në kontakt me institucionet shqiptare për zbardhjen e plotë të kësaj vrasjeje misterioze. Hetimet vijojnë në pistën e një atentati të mirëplanifikuar, ndërsa ende nuk ka të ndaluar apo të dyshuar konkretë për ngjarjen.