Një rast i pazakontë ka ndodhur në Tiranë, ku një qytetar është përballur me një gjobë të pa përfunduar nga Policia Rrugore, për shkak se efektivit i ka mbaruar stilolapsi gjatë plotësimit të gjobës.
Qytetari ka treguar se pasi ka parkuar makinën në orët e para të mëngjesit, rreth orës 06:00, pas afro katër orësh, ka konstatuar se kishte marrë një gjobë, e cila ishte e shkruar pjesërisht, duke ngritur pikëpyetje mbi vlefshmërinë ligjore të një gjobe të tillë.
Fenomeni i vendosjes së gjobave nga policia në këtë formë është bërë gjithnjë e më i shpeshtë. Në disa raste, efektivët nuk lënë fare fletë gjobe në automjet, por fotografojnë mjetin dhe e regjistrojnë shkeljen në sistem me vonesë, shpesh pas 2–3 javësh. Kjo praktikë i ka detyruar shumë qytetarë të paguajnë gjoba me kamatë për shkak të vonesës në paraqitjen e tyre në sistemin online të pagesave.
Qytetari pyet nëse një gjobë e papërfunduar apo pa elementët e detyrueshëm ligjorë a duhet të njihet si e vlefshme.
Denoncimi i qytetarit:
“Gjobe nga policia bashkiake e pa perfunduar sepse i ka mbaruar stilolapsi. Aq te lodhur jane skane as fonde per stilolapsa. Po ne mengjes e parkova makinen ne oren 6, 4 ore ka qe eshte vendos.
Fenomeni eshte qe pervec se i vendosin keshtu ka raste dhe bejn vetem foto dhe i hedhin ne sistem pas 2-3 javesh qe te dalin ne sistem se me ka ndodhur shum here. Dhe jam detryruar ta paguaj me kamat nga vonesat e gjobave ne sistem Dhe a duhet te njihet kjo si gjobe qe i ka shkruar stilolapsi deri ne gjysem”