1.1 tonë kokainë në Greqi, Fatjon Prendi i përfshirë në disa ngjarje kriminale: I dënuar me 10 vite burg

Shkruar nga: A Shehaj | Publikuar më: 28.09.2025, 08:33

Një sasi rekord prej 1.1 ton kokainë është sekuestruar nga autoritetet greke gjatë një operacioni të madh antidrogë të zhvilluar në zona të ndryshme të Athinës dhe Arkadias. Sipas burimeve zyrtare, “truri” i rrjetit të trafikut ndërkombëtar të drogës dyshohet të jetë shtetasi shqiptar Fatjon Prendi, një emër i njohur për drejtësinë greke.

Prendi, 39 vjeç, ka qenë më parë i dënuar me 10 vite burg për vepra të rënda penale. Ai u arrestua më 7 dhjetor 2012 dhe u lirua me kusht më 11 shkurt 2022, pas rreth nëntë vitesh vuajtje të dënimit. Gjatë qëndrimit në burgun e Domokos, në vitin 2017, Prendit iu gjet një thikë në qeli, duke ngjallur dyshime për përfshirjen e tij në veprimtari të paligjshme edhe gjatë burgimit.

Ai njihet për lidhjet e ngushta me Alfons Ndocin, një tjetër shtetas shqiptar me precedentë penalë, i cili u vra më herët në Greqi. Të dy kanë qenë të dyshuar për pjesëmarrje në rrjete të organizuara kriminale.

Në operacionin e fundit antidrogë u arrestuan 6 persona, përfshirë Prendin dhe bashkëpunëtorët e tij: Elson Ndreca, 36 vjeç, Brisejda Cami, 35 vjeç, Pashke Gega, 73 vjeçe, dhe Zoje Ndoj, 35 vjeçe Arben Mashi, 50 vjeç, banues ilegalisht në Greqi.

Fatjon Prendi rezulton i përfshirë edhe në një ngjarje të rëndë kriminale vite më parë, ku bashkë me tre persona të tjerë u përfshi në një grabitje me dhunë në banesën e një familjeje, ku u vodhën 1700 euro. Gjatë arratisjes, grupi u përplas me forcat e policisë në një ndjekje me shkëmbim zjarri. Madje, gjatë ngjarjes u sulmua dhe gazetari i njohur grek Makis Triantafyllopoulos, të cilit iu mor automjeti.

Ndërkohë, Arben Mashi, një tjetër anëtar i grupit, ka një dosje të gjatë penale, përfshirë kapjen me 101 gramë heroinë në vitin 2001 dhe me 60 kg marijuanë në vitin 2016. Ai është gjithashtu nën hetim për grabitje dhe shkelje të ligjeve të emigracionit.

Autoritetet greke kanë konfirmuar se hetimet janë në vijim për të zbuluar të gjithë rrjetin ndërkombëtar të trafikut të drogës dhe për të identifikuar bashkëpunëtorë të tjerë brenda dhe jashtë vendit.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit