Pas vrasjes tragjike të 51-vjeçarit Valbon Beqiri në qytetin e Durrësit, qytetarë dhe të njohur të tij kanë reaguar me trishtim dhe indinjatë, duke hedhur poshtë çdo pretendim negativ për karakterin e tij. Ata e përshkruajnë Beqirin si një njeri të qetë, punëtor dhe të përkushtuar ndaj familjes.
Pronari i lokalit ku Beqiri punonte prej një dekade, thotë se lidhja mes tyre nuk ishte thjesht punëdhënës dhe punëtor, por si dy vëllezër.
“Ishte vëllai im, njeri punëtor i qetë dhe i qeshur me të gjithë. Ky lajm na ka ardhur si bombë. Edhe tani që flas nuk na besohet. Na duket si ëndërr. Nuk kishim vënë re asnjë shqetësim të tij. Me mua ka pasur një marrëdhënie si vëllai me vëllanë. Autori ka hedhur akuza të rënda, por ne ia lëmë në dorë drejtësisë, të bëjë punën e vetë dhe të mos hedhë baltë. Ka një grua të mrekullueshme dhe fëmijë të tillë. Ishte një njeri i përkushtuar ndaj familjes. Unë i kam dorëzuar kalamajt e mi atij. Kam shumë momente me Valbonin. Nuk është e vërtet kur flitet për divorcin e tij”, tha pronari i lokalit.
Ndërkohë një mik i 51-vjeçarit u shpreh se e njihte pre vitesh dhe nuk kishte vënë re gjatë kësaj kohe sjellje të pazakonta të Beqirit.
“Valboni ishte çun i mirë, punëtor, me fol llafe të këqija për Valbonin, të vret Zoti. Ai shërbente për 10 vite në atë lokal. Unë e njoh prej 10 vitesh. Nuk është asgjë e vërtetë. Për mua ishte çun fantastik. Nuk kam vënë re asnjë sjellje të pazakontë, janë gjëra të pavërteta. Valboni do ngelet në mendjet tona”, tha miku i 51-vjeçarit.
Sipas policisë, Valbon Beqiri alias Marko Beqiri, rezulton të jetë vrarë me thikë në orën 10:00 të paradites së të mërkurës. Por trupi i tij u gjet i pajetë brenda banesës në lagjen Nr.12 të Durrësit mbrëmjen e së mërkruës, nga nipi i tij, i cili më pas njoftoi autoritetet.
Sipas hetimeve të deritanishme të policisë, Teilor Tivari kishte shkuar në banesën ku qëndronte 51-vjeçari Beqiri për të blerë drogë. Më pas mes tyre kishte ndodhur konflikt dhe i riu e goditi disa herë me thikë Valbin Beqirin duke i shkaktuar vdekjen. Por në dëshminë që ai ka dhënë në polici, Tivari është shprehur se viktima tentoi ta përdhunonte.